Hulumtim, gratë rome diskriminohen në shëndetësi

Janë të shumta rastet kur gratë në Maqedoninë e Veriut nuk mund të gëzojnë të drejtat e tyre pavarësisht se të njejtat janë të garantuara me Ligj. Kritika më të mëdha ka për shërbimet shëndetësore të cilat nuk janë në dispozicion të tyre, posaçërisht për gratë e përkatësisë rome. Projekti përmbyllës i Komitetit të Helsinkut “Gratë kanë të drejta” nxjerr në pah se gratë diskriminohen në fusha të ndryshme, madje edhe kur konkurojnë për vende të ndryshme të punës për shkak edhe nuk mund të planifikojnë familje ose të lindin fëmijë tjetër.

Numër më i madh I femrave kryejnë arsimin e lartë ndërsa vetëm 40 % prej tyre përfshihen në tregun e punës dhe kjo mund të quhet diskriminim. Cila është arsyeja e kësaj? Arsyeja është se gratë nuk kanë qasje në kopshte, nuk kanë ku ti lënë fëmijët e tyre. Kur paraqiten për vende pune, punëdhënësit shpesh herë preferojnë burrë se sa grua. Shpesh herë kur shkojnë për intervistë u parashtrohet pyetja nëse planifikojnë të kenë fëmijë ose të krijojnë familje, gjë që është e ndaluar me ligj- Tatjana Stoimenovska, koordinatore e projektit.

Gjatë realizimit të këtij projekti, përmes komponentës “Ndihmë juridike falas”, 8 gra viktima të dhunës familjare janë përfaqësuar nga avokatët në procedurat gjyqësore ndërsa mbi 120 gra kanë marrë këshilla juridike në Gostivar, Kumanovë dhe Veles.

Nëse komisioni për mbrojtje nga diskriminimi konfirmon se në rastin konkret ka ndodhur diskriminim atëherë e dorëzon mendimin deri te subjekti që ka shkaktuar diskriminimin dhe i lë hapësirë, në afat prej 30 ditësh ta përmirësoj këtë veprim ose ta tërheq diskriminimin. Nëse subjekti ose ai që ka kryer diskriminimin nuk vepron sipas rekomandimeve të komisionit atëherë vijojnë edhe sanksione kundërvajtëse- tha Ina Xhugumanova, juriste.

Projekti “Gratë kanë të drejta” është realizuar në 7 vende të Ballkanit perëndimor. Të gjitha vendet kanë raportuar se ballafaqohen me stereotipe të njëjta kur bëhet fjalë për gratë, se këto të fundit duhet të qëndrojnë në shtëpi, burrat duhet të punojnë dhe se dhuna në familje është dukuri e pranueshme ose e zakonshme./Alsat