Hoxhaj: Sikurse e ka pranuar, Kurti edhe po e mban fshehtë Statutin e Asociacionit

Enver Hoxhaj, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili ka thënë sot se Statutin e Asociacionit duhet ta publikojnë ndërkombëtarët.

Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook theksoi se as në Rambuje as në Vjenë e as në Bruksel nuk është vendosur për një çështje kaq të rëndësishme politike pa kurrfarë procesi politik, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa legjitimitet demokratik.

“Sikurse që Albin Kurti e ka pranuar dhe po e mbanë fshehtë Statutin e Asociacionit, duke na thënë se jo ai, si Kryeministër i Kosovës, por ndërkombëtarët duhet ta bëjnë publik atë, kur çdo kush e ka pa këtë dokument në Serbi, ndërsa po mbahet fshehtë nga opinioni publik, partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj, përcjell Klankosova.tv.