Hoxhaj për moszgjedhjen e presidentit: Politikë e inatit, jo proces politik!

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë në `RTK Prime`, për krizën politike për zgjedhjen e një presidenti të ri, ka thënë se nuk ka proces politik.

Ai tha se përtej takimeve në mes të përfaqësuesve politik për zgjedhjen e presidentit, nuk kishte proces politik e përpjekje serioze por, siç e quajti ai, ishin tentativa “sa për sy e faqe”.

“Më shumë është etabluar një politikë e inatit dhe kundër reagimeve sesa një politikë që është e bazuar në proces politik. Vjet s’ka pasur proces politik e as sivjet…Ne si PDK shkuam në takime sepse mendojmë që kushdo që ka marrë mandatin synon që përmes dialogut politik ta përmbushë mandatin e tij por edhe atë tonin si opozitë”, tha ai për RTK-në.

Ai tha se është pro zgjedhjes së presidentit nga votat e qytetarëve pas kësaj situate, sepse sipas tij, përveç gjetjes së një zgjidhje sot, nuk duhet të përsëriten krizat politike edhe pas pesë vjetësh por t’i lihet vendimi në duar votuesve.

“Për PDK-në zgjedhjet janë të pashmangshme, të domosdoshme por s’janë të dëshiruara dhe s’kanë qenë asnjëherë. S’kemi pasur nevojë as në interes të shkojmë në zgjedhje. Për atë jemi munduar të bëjmë zgjidhje të domosdoshme politike por ka qenë përtej fuqisë që ne kemi në Kuvend”, deklaroi Hoxhaj.

Ai tha se dialogu, marrëveshja dhe kompromisi janë të domosdoshme për arritjen e çfarëdo lloj marrëveshje politike.

“Një koalicion i tillë i shpresës ka treguar që është koalicion i zhgënjimit, dëshpërimit, mashtrimit dhe një bosht i së keqes, jo një binom i së mirës sikurse kanë pretenduar ata. Unë besoj që kurdo që të mbahen zgjedhjet qytetarët duhet me votë ta dënojnë këtë klasë politike, e cila në fakt nuk ka bërë asgjë në pesë – gjashtë vitet e fundit dhe tashmë po i ofron edhe një dramë këtij divorci politik përtej imagjinatës sonë politike që kemi menduar se mund ta kemi në Kosovë në vitin 2026”, tha ai, duke aluduar te udhëheqja shtetërore e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.