Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova do të mund të kishte shumë më tepër njohje ndërkombëtare nëse do të kishte një qeveri më aktive dhe të përgjegjshme në politikën e jashtme.
Hoxhaj ka folur për procesin e njohjeve, duke përmendur rastet e fundit të Sirisë dhe Sudanit.
“Mendoj që njohja e Sirisë, për të cilën jam gëzuar shumë, pasi jam marrë gjatë me të si dikush që e ka pritur opozitën siriane në ministri, është një hap i rëndësishëm. Edhe njohja e Sudanit ka qenë afër, por patëm dështuar sepse komuniteti i deputetëve atje e kishte kundërshtuar”, tha Hoxhaj.
Ai shtoi se këto zhvillime tregojnë se me pak përpjekje dhe angazhim diplomatik, Kosova mund të arrijë edhe më shumë suksese në arenën ndërkombëtare.
“Këto njohje tregojnë se nëse ka pak përpjekje, do të ketë njohje. Unë që nga dhjetori i vitit 2024 kam thënë se Siria do ta njihte Kosovën. Kjo tregon se nëse një qeveri do të ishte më e përgjegjshme, do të mund t’i kishim 150 njohje”, u shpreh deputeti i PDK-së.
Sipas tij, disa shtete janë tashmë të gatshme ta njohin Kosovën, përfshirë Irakun, Libanin, Tunizinë dhe disa vende të tjera në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.
“Jam i bindur se Iraku mund ta njohë Kosovën, ashtu edhe Libani me qeverinë e re, si dhe Tunizia, ku kam qenë dy herë në vizitë zyrtare. Edhe Indonezia, një shtet i G20-ës, mund të jetë pjesë e një vale të re njohjesh. Ka disa shtete në Afrikë për shkak të rënies së ndikimit rus, por edhe në Amerikën Latine”, shtoi Hoxhaj për Periskopin.
Me bindje, Hoxhaj tha se me një qeveri të re dhe një politikë të jashtme më të fokusuar, Kosova do të mund të hynte në një “valë të re të njohjeve ndërkombëtare”.




