Hoxha tek familja Arifi në Shipkovicë: Fermat familjare janë shtyllë e zhvillimit rural dhe ekonomisë lokale

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha ka vizituar Malësinë e Tetovës, në kuadër të masës për Mbështetje për ruajtjen e zonave rurale dhe zhvillimin e blegtorisë tradicionale.

Me këtë rast, Hoxha në Shipkovicë ka vizituar fermën e familjes Arifi, ku Mali Sharr ofron kushte të shkëlqyera për zhvillimin e blegtorisë dhe prodhimit cilësor vendor.

“Kjo fermë është shembull i punës së ndershme dhe përkushtimit në kushte malore, ku çdo ditë kërkon angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Fermat familjare janë shtyllë e zhvillimit rural dhe e ekonomisë lokale, ndërsa mbështetja për to është investim i drejtpërdrejtë në jetën e fshatit”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, aktive është thirrja për Mbështetje për ruajtjen e zonave rurale dhe zhvillimin e blegtorisë tradicionale.

“Parashihet kompensim prej 100% të pagës mesatare neto në Republika e Maqedonisë së Veriut për fermat mbi 700 metra lartësi mbidetare, ndërsa 60% për ato nën 700 metra, si mbështetje për ruajtjen dhe kullotjen e bagëtive”, thekson numri dy i Bujqësisë, Albrim Hoxha.