Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha njofton se përgatitjet për Ligjin e ri për kontrollë të emisioneve industriale, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027, po zhvillohen paralelisht me forcimin e kontrolleve dhe kapaciteteve të laboratorit shtetëror.
Ai tha se në në këtë drejtim, u paralajmërua një debat publik për lejen e re të USJE-së, ndërsa tashmë po organizohen takime me operatorët që kanë leje të integruar A, për përshtatje më të shpejtë me rregullat e reja.
“Theks i veçantë iu kushtua përgatitjeve për krijimin e platformës digjitale – Regjistri i ndotësve, si një mekanizëm kyç për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë. Sipas Hoxhës, përmes mbledhjes sistematike dhe publikimit të të dhënave për emisionet, mbeturinat dhe përdorimin e burimeve, regjistri do të sigurojë informacione të besueshme dhe të krahasueshme, duke krijuar një presion konstruktiv për respektimin e standardeve. Njëkohësisht, institucionet japin shembull përmes projekteve aktuale për zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes në objektet publike.
Sa i përket masave qeveritare për amvisëritë, Ministria e Energjetikës aktualisht po shpërndan vauçerë për inverterë, me ç’rast mbi 4000 familje do të përdorin mënyrë më ekologjike të ngrohjes”, thuhet në njoftim.
Ministri Hoxha informoi se transparenca po forcohet edhe përmes debateve publike për shpalljen e Kënetës së Belçishtës si zonë e mbrojtur, si dhe për Ligjin për natyrën në muajin prill, që tashmë është në proces. Hoxha theksoi se zgjidhjet ligjore për Kënetën e Studençishtës dhe Liqenin e Ohrit së shpejti do të hyjnë në procedurë qeveritare.





