Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot vizitoi Laboratorin Qendror pranë Ministrisë, ku paralajmëroi zgjidhje sistematike dhe të koordinuar të të gjitha sfidave institucionale.
Ai theksoi se një Laborator Qendror modern dhe funksional përbën themelin e mbrojtjes efikase të mjedisit jetësor dhe garanci për të dhëna të sakta dhe në kohë, në interes të shëndetit publik. Qëllimi është të sigurohen kushte stabile pune dhe avancim afatgjatë i kapaciteteve.
Gjatë vizitës u theksua se Laboratori ka rinovuar me sukses akreditimin për katër vitet e ardhshme për gjithsej 20 metoda, nga të cilat një për matjen e zhurmës ambientale dhe 19 për ujërat e ndotura industriale dhe ujërat sipërfaqësore.
Hapi i radhës është përshpejtimi i procesit të akreditimit të metodave për matjen e ndotjes së ajrit nga burime stacionare.
Po ashtu, gjatë vizitës u prezantua instrumenti i ri ICP-MS, i cili mundëson analizën e metaleve të rënda në tokë, ujë dhe ajër, me çka do të përmirësohen ndjeshëm kapacitetet analitike të Laboratorit Shtetëror për Mjedisin Jetësor.
Hapi i ardhshëm është plotësimi i stafit, për çka Ministria do të iniciojë procedurë në nivel qeveritar.





