Hoxha: PDK-ja i ka kthyer letër VV-së për mocionin, kemi kërkuar sqarime

Partia Demokratike e Kosovës, iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë Hoti, i është përgjigjur me disa pyetje në formë sqarimi, për të cilat nuk ka marrë përgjigje.

Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ata kanë kërkuar disa sqarime nga VV, siç është edhe çështja nëse partia e Kurtit ka hequr “vija e kuqe”të bashkëpunimit me PDK-në, por ka thënë se mocioni i iniciuar nga VV është joserioz.

“Kemi përjashtuar një varg pyetjesh tek Lëvizja Vetëvendosje, fillimisht kemi kërkuar të dimë që ai ka hequr Vetëvendosje, ‘vijat e kuqe’ për bashkëpunim me PDK-në”.

“Çështje tjetër është se a ka ndryshuar vetë Vetëvendosje qëndrim, sepse kur LDK ka marr një iniciativë për rrëzimin e Qeverisë Kurti në kohë pandemie, kemi pas një reaksion jashtëzakonisht të madh nga ta edhe pse numri i të infektuarave ka qenë rreth 15 persona në ditë, ndërsa sot në piku e pandemisë, ku kemi deri 200 të infektuar në dite, pra, kemi kërkuar të dimë se çfarë ka ndryshuar, kur atëherë e ka kundërshtuar e tash inicion mocionin”.

“Shqetësimi jonë i tretë është se VV përmes këtij mocioni po mundohet të ja zgjasë jetëgjatësinë Qeverisë Hoti, sepse nëse një iniciativë e tillë dështon, në bazë të ligjit asnjë parti nuk mund të iniciojë tjetër mocion mosbesimi”, është shprehur Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se PDK nuk do të jap nënshkrimet për këtë mocion, por, ka thënë se mbështesin rrëzimin e Qeverisë Hoti, që sipas tij, është vazhdimësi e keqqeverisje së Qeverisë Kurti.