Hovenier për Radojiçiq: U përfshi në sulm, ai ishte në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, pasi u konfirmua se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Raodjiçiq ka marrë pjesë në sulmin terrorist në veri të Kosovës, e ka përmendur faktin se ky i fundit, kishte marrë pjesë në disa ngjarje me zyrtarë të lartë serbë.

Hovenier për “BBC”, citohet të ketë thënë se “sulmuesit serbë etnik nuk i siguruan armët vetë”, duke iu referuar sasisë dhe cilësisë së armatimit të gjetur.

Kjo përgjigje e ambasadorit erdhi kur gazetarja që po e intervistonte, e pyeti nëse pajtohen me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që autoritetet serbe kanë qenë të lidhura me sulmin.

“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm.” – ka thënë ai.