Hovenier i qartë: Asociacioni në përputhje me Kushtetutën, nuk duam Republika Srpska

Ambasadori i Amerikës në Kosovës, Jeff Hovenier, ka folur sërish lidhur me Asociacionin.

Ai sot ka vizituar Mitrovicën, dhe nga atje ka folur për disa parime që sipas tij, janë në përputhje me politikën amerikane, raporton Nacionale.

“Së pari dua të them diçka për bisedimet lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Unë nuk kam pika të reja për të thënë, por dua të them qëndrimin e Amerikës për këtë. Politika e Amerikës thotë se ky është obligim i Kosovës, dhe shtetet e BE-së kanë dhënë qëndrimin e tyre se duhet të ecet përpara me këtë marrëveshje”, ka thënë Hovenier, raporton Nacionale.

“Pozicioni i Amerikës është i qartë: ne besojmë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të jetë autoritet i tretë qeverisës, nuk do të ketë autoritete ekzekutive, ne nuk duam Republika Srspka. Ne nuk duam diçka që do të ketë efekt negativ në shtetin e Kosovës”, tha ambasadori amerikan.

“Unë jam pak i hutuar lidhur me komentet dhe kritikat për këtë temë. Ne mendojmë se fokusi duhet të jetë se si Kosova duhet të ecë përpara me këtë draft në përputhje me Kushtetutën, dhe nëse ka pyetje për kushtetuteshmërinë, ka vetëm një trup që mund të vendos, është Gjykata Kushtetuese e Kosovës që do të vendosë, dhe ne besojmë se duhet të ecet përpara shpejtë. Dhe të gjithë këta që kanë folur se si duhet të jenë në linjë me Amerikën dhe Evropën, duhet të dinë se ky draft ka ardhur nga miqtë e Kosovës në Evropë dhe Amerika”, theksoi Hovenier.