Hoti: Veprimet e Qeverisë të drejta, por s’e kanë mbështetjen e miqve

Deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti, ka thënë se Kosovës ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit.

Hoti potencoi se përpjekjet e Kosovës kanë pasur sukses vetëm kur janë koordinuar dhe mbështetur në miqtë euro-atlantik, njofton Klankosova.tv.

“Kosova ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Por përpjekjet tona kanë pasur sukses vetëm kur janë koordinuar dhe mbështetur nga miqtë euro-atlantik. Ne e kemi shpallur njëherë pavarësinë në fillim të viteve të ‘90-ta. Mandej e kemi shpallur prapë më 2008, për shkak se herën e parë nuk ka pasur mbështetje nga miqtë”.

Deputeti i LDK-së shtoi se në veprimet e ndërmarra në lidhje me targat ne veri, Kosova ka plotësisht të drejtë, sipas tij.

“Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve”.

“Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk i ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës”.