Hoti: Telekomi do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Qeveria që ai udhëheq do të mbështesë Bordin e Telekomit.

Këtë njoftim Hoti e ka bërë me anë të një postimi në Facebook, transmeton Klan Kosova.

“Bashkë me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sot kemi zhvilluar takim virtual me anëtarët e Bordit të Telekomit, me të cilët biseduam për gjendjen e përgjithshme në këtë ndërmarrje.

“Qeveria e Kosovës, si aksionar, do ta mbështesë këtë ndërmarrje me interes strategjik për vendin dhe shumë shpejt do të diskutohet edhe plani për rimëkëmbjen, i cili është duke u përgatitur nga Bordi i Telekomit”, ka shkruar i pari i Qeverisë.