Hoti: Qeveria pas dështimeve në çdo fushë ia ka mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria Kurti ka dështuar në çdo fushë dhe pas kësaj, sipas tij, ekzekutivi ia ka mësyrë shpenzimit të buxhetit përmes subvencioneve.

Në rrjetin social Facebook, ai ka deklaruar se pas tri vitesh qeveria nuk ia ka idenë për politika fiskale e buxhetore.

“Subvencionim i pajisjeve shtëpiake! Subvencionim i energjisë elektrike! Subvencionim i librave për nxënës! Mos u çuditni kur të subvencionohen policët për uniformë dhe këpucë, apo pacientët për barnat nga lista esenciale, pasi po dështojnë tenderët në vazhdimësi për arsyet që vetëm ata i dinë”.

“Kjo lloj politike buxhetore shpërfaq varfërinë në dije të këtyre që po qeverisin. As praktikantë nuk mund t’u thuash më, sepse praktika zgjatë gjashtë muaj deri në një vit. Pas tri vitesh në qeverisje, është e qartë se ide nuk kanë për politika fiskale e buxhetore në kushtet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës vendore e të jashtme”.

“Ide nuk kanë si tërhiqen investimet, si prioritizohen investimet publike, apo si sigurohet vlera maksimale për paranë e shpenzuar nga buxheti. Krejt çfarë dinë është subvencionimi përmes platformës ‘eKosova’, duke i kushtuar shtetit shumë më shtrenjtë”, ka thënë Hoti./Klankosova.tv