Hoti: Nëse s’ka vullnet për zgjedhje të presidentit me emër konkret, shkojmë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se koalicioni qeverisës nuk posedon 80 vota në Kuvend, për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Madje, për të siguruar votat që do të çonin në përcaktimin e një presidenti të ri të vendit, sipas Hotit, është i nevojshëm diskutimi me partitë parlamentare opozitare.

”Është më se e qartë se vendi s’ka president edhe në bazë të Kushtetutës ne duhet ta zgjedhim presidentin e ri, për zgjedhjen e tij duhen së paku 80 vota në Kuvend, të cilat vota sigurisht ky koalicion qeverisës nuk i ka. Që nënkupton nevojën që ne të ulemi me partitë politike parlamentare opozitare për të parë nëse ka dakordim për zgjedhjen e presidentit, të cilën gjë shpresoj se do ta bëjmë së shpejti. Nëse s’ka dakordim të tillë, atëherë sigurisht duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve, sigurisht një datë e përshtatshme për qytetarët”, deklaroi Hoti.

”Unë besoj se shpejt do të organizohet tryeza e parë e partive ku do të shtrohen këto tema. Edhe unë po angazhohem në këtë drejtim. Nëse ka vullnet për zgjedhje të presidentit, për emra konkret, drejt një emri të përbashkët e nëse s’ka flasim për datë të zgjedhjeve. Tjetër opsion nuk ka”, është shprehur ai.