Hoti me akuza për Qeverinë Kurti: Dështim total, e pafalshme të lejohet kjo lloj qeverisje

Deputeti i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë për bllokim të investimeve kapitale, duke thënë se edhe në kohën e pandemisë është punuar më shumë.

Hoti thotë se “i kanë bllokuar investimet kapitale në gjithë Kosovën, të cilat kurrë nuk kanë qenë më të ulëta. Edhe në kohën e pandemisë është punuar më shumë në projekte në gjithë Kosovën”.

“I kanë palosur mbi 700 milionë euro në llogari bankare të Qeverisë. E tash marrin kredi 47 milionë euro për ndihma sociale, prej të cilave 15 milionë janë për pagesat e bëra për ndihma sociale për janar, shkurt dhe mars 2021, kur ka qenë pandemia, të cilat pagesa po bëhen gati dy vite që janë kryer”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.

Më tej ai ka thënë se “edhe kanë fytyrë të kërkojnë votat e opozitës për ratifikimin e kredisë në Kuvend”.

“Ky është dështim total. Është dëm i madh për vendin çdo ditë që kjo klasë politike e paaftë dhe e mbrapshtë mbetet në qeverisje. Është e pafalshme të lejohet edhe më tutje kjo lloj qeverisjeje”, ka shkruar Hoti.