Në pesë vjetorin e Marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë marrëveshje si një mundësi të humbur për vendin.
Hoti vlerëson se marrëveshja ka qenë një moment historik që do të mund të fuqizonte partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta vendoste Kosovën në qendër të zhvillimeve ekonomike rajonale përmes projekteve madhore infrastrukturore.
“Po të zbatoheshin projektet e përfshira në këtë marrëveshje, Kosova sot do të kishte një rol qendror si nyje rrugore, hekurudhore dhe energjetike në rajon,” ka shkruar Hoti, duke përmendur lidhjen me portet e Durrësit dhe Selanikut si shembull.
Ish-kryeministri dhe aktualisht deputeti i LDK-së, ka përmendur edhe njohjen nga Izraeli si një arritje të rëndësishme politike të kësaj marrëveshjeje, që kishte thelluar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Megjithatë, Hoti ka kritikuar qeverinë pasuese për siç tha ai neglizhencë dhe moszbatim të marrëveshjes.
Ai gjithashtu ka përmendur një listë të gjatë të veprimeve të ndërmarra nga Qeveria e tij në periudhën shtator 2020 – mars 2021 për zbatimin e marrëveshjes, duke përfshirë: Diskutimet për projekte infrastrukturore me DFC, funksionalizimin e pikës kufitare në Merdar, përgatitjen për njohjen reciproke të diplomave me Serbinë, studime për liqenin e Ujmanit dhe projektet për gazsjellësin, marrëveshje për sistemin 5G, masa për sigurinë në komunikacionin ajror dhe energji, veprime për shpalljen e organizatave terroriste, dhe marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Hoti ka shtuar se,ndonëse marrëveshja ishte kritikuar ashpër në kohën e nënshkrimit, sot të gjithë janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike.