Hoti: LDK brenda tre ditësh do të shpall emrin e kandidatit për kryeministër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se partia nga e cila vjen, pra Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) brenda tri ditëve do ta caktojë kandidatin për kreun e qeverisë. Në mbledhjen e kryesisë së LDK gjatë së shtunës Hoti tha se kanë diskutuar vetëm për kriteret që do të vendosen. Ndërsa për çështjen e vaksinimit në Veri të Kosovës nga Serbia, Hoti ka thënë se me këtë po merren organet kompetente.

“Besoj për dy-tri ditë do të dalim edhe me emrin e kandidati[…]nuk mund të flas për emra të përveçëm, për askënd, përfshirë edhe vetën time pa u përmbyllur diskutimet”, ka thënë ai.

I pyetur se a do të pranojë rikandidimin për kryeministër ai tha se mos të pyetet për çështje hipotetike dhe se duhet të diskutohet brenda strukturave të partisë.

“Mos më pyetni për çështje hipotetike, duhet ta diskutojmë brenda strukturave, dhe derisa nuk vijmë te emri nuk është korrekte nga ana ime”, shtoi Hoti.

Ndërkohë, Hoti është pyetur edhe për vaksinat e ardhura ilegalisht në veri të Kosovës, për çka sipas tij janë duke u marrë të gjitha organet kompetente.

“Mos bëni kësi paralele, janë dy gjëra të ndryshme. Jemi pranë zgjedhjeve, normalisht strukturat e partitë mblidhen. Ndërkohë që për atë që është raportuar janë duke u marrë të gjitha organet kompetente”, deklaroi ai.