Hoti: Vendimi për tri doza në kufi duhet të ndryshohet menjëherë
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë për masën që kërkohen tri doza të vaksinës kundër COVID-19 për të hyrë në Kosovë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka thënë se kjo kërkesë është e pakuptimtë.
Sipas tij, ky vendim i Qeverisë duhet të ndryshohet menjëherë.
“Këto ditë kam pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukëksi, Lugina e Preshevës dhe Shkupi e Tetova. Kërkesa për tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë është vërtetë e pakuptimtë. Lëvizjet ditore nga Presheva në Gjilan, apo nga Kukësi në Prizren, janë sikur lëvizjet nga Prizreni në Gjakovë apo nga Gjilani në Ferizaj. Prandaj, çdo vendim që merret duhet parë si ndikon në jetën e qytetarëve andej kufirit, sepse e kemi obligim shtetëror. Shqetësuese është mungesa e koordinimit të Qeverisë së Kosovës në marrjen e vendimeve të tilla me Qeverinë në Tiranë dhe atë në Shkup, si dhe me Kryetaren e Preshevës. Ky vendim duhet të ndryshohet menjëherë”, ka shkruar Hoti.
Kujtojmë se dje në Kuvendin e Kosovës opozita ka kritikuar Qeverinë për keqmenaxhim të pandemisë./21Media




