Hoti i përgjigjet AAK-së sa i përket dialogut

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se është në të mirë të Kosovës vazhdimi i procesit të dialogut.

Duke komentuar deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj njëherësh partnerit të koalicionit qeverisës, i cili tha se dialogu duhet të ndërpritet, Hoti shtoi se në këtë proces nuk shkojmë për interesa të askujt.

“Unë vlerësoj se vazhdimi i procesit të dialogut është në interesin më të mirë të shtetit tonë Kosovës. Ne në këtë proces nuk shkojmë për interesa të askujt por shkojmë për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës në bazë të një dakordimi që kemi me partnerët në BE që të punohet në draftimin e marrëveshjes finale për njohjen reciproke”, u shpreh Hoti.

Kryeministri theksoi se nuk beson që dialogu do të bëhet “mollë sherri” me AAK-në.

“Nuk besoj që duhet të jetë problematike kjo çështje, nuk do të bëhet mollë sherri sepse ne po punojmë na bazë të programit qeverisës”, tha Hoti.

Ai shtoi se në këtë fazë duhet të gjendet një zgjidhje për presidentin.

“Në ditët e ardhshme do të arrijmë ti koordinojmë këto aktivitete për të gjetur një zgjidhje të mirë vendin”, tha Hoti. /Telegrafi/