Holshtajn: Gjermania deri në momentin e fundit është angazhuar për miratimin e kornizës negociuese

Ambasadorja gjermane në vend Anke Holshtajn thotë se nuk mund t’i komentojë deklaratat e shtetit fqinj, por thekson se Gjermania deri në moment të fundit është angazhuar për miratimin e kornizës negociuese.

“Kryesimi gjerman në kuadër të organeve të Këshillit i diskutoi të gjitha propozimet të cilat ishin në tryezë dhe deri në moment të fundit u angazhua të miratohet korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave me BE-në”, thotë ambasadorja gjermane Holshtajn me kërkesë të “360 shkallë” për t’i komentuar deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë se Gjermania në takimin ministror të BE-së nuk i ka vendosur në rend dite kërkesat e tyre për kornizën negociuese.

Ajo thekson se është ambasadore në Maqedoninë e Veriut dhe se detyrë e saj nuk është të komentojë për deklarata të vendit fqinj.

“Mund t’ju siguroj se kryesimi gjerman në organet e Këshillit i diskutoi të gjitha propozimet për vendim të cilat ishin në tryezë dhe deri në momentin e fundit me angazhim të madh u angazhua për miratimin e kornizës negociuese. Propozimet tona për tekstin hasën në mbështetje të madhe por jo edhe pëlqim prej të gjitha vendeve anëtare. Kryesimi gjerman me Këshillin është i bindur se BE duhet ta mbajë fjalën e vet të dhënë në mars, pasi vetëm një perspektivë kredibile e BE-së është garanci për stabilitetin e rajonit”, thotë Holshtajn në deklaratë.