Historia e lavdishme e Universitetit të Tetovës

Shkruan: Vullnet Ameti

E kaluara e Universitetit të Tetovës është histori shumë komplekse për ta përmbyllur thjesht me një synops ngjarjesh, vetëm me monografi apo përmbledhje artikujsh e fotografish. Kjo histori me ngulm kërkonte ta ketë vendin e vet në histori, një vend që do ta legjitimonte luftën dhe do ta përligjte betejën e atyre që dikur quheshin “deligjitimues”.

Për shumë kohë, faktet, rrëfimet, fotografitë, historitë dhe të dhënat për Universitetin e Tetovës qëndronin pa trajtë dhe nomade, madje në plotninë e vet, historisë së Universitetit të Tetovës i mungonte një muze, një spirancë dhe një sfond i qëndrueshëm ku gjeneratat e ardhshme do ta gjenin inspirimin dhe ky muze do të shërbente si prelud për të vazhduar tutje rrugës së dijes, e cila na rezulton që është e pafund.

Filozofia e Niçes jo rrallëherë më ka bërë të reflektoj në jetë. Në veçanti shprehja e tij “nitimur in vetitum” tek “Ecce Homo”, i ka ndjekur veprimet e mia gjatë jetës intelektuale, Niçe me të drejtë e kishte kur thoshte që “e drejta ka qenë për një kohë të gjatë e ndaluar” dhe unë jam tërhequr shumë pas së drejtës.

Gjatë gjithë jetës kam qenë një gjerues i pavarur i së vërtetës, kam pasur një etje të pashuar për t’i nxjerrë në dritë faktet dhe historitë sepse tek e fundit, kuptova që unë isha ai tek i cili ra barra e një riorientimi moral të tempullit tonë të dijes, mozaiku i të cilit u kompletua me ngritjen e Muzeut të Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj në vitin 2014. Me këtë, njëherazi, unë e shpaguaja veten nga një borxh moral karshi njerëzve që dhanë gjithçka nga vetja që ky tempull të ekzistojë.

Ky investim dhe kjo vepër kapitale erdhi si rrezultat i një dëshire të madhe për të paraqitur kohërat diegjetike ashtu siç kanë qenë në të vërtetë, sepse nuk ishin të paktë ata që shtrembëronin faktet në mënyrë “toto caelo” dhe në këtë luftë me merimangën e përbotshme siç e thotë edhe Niçe te “Gjenealogjia e moralit”, “Je combats l’universelle araignée”, nuk mund të kisha qasje joveprore dhe përsiatëse, por vetëm proaktive. Nisur nga miti i Prometheut, ne kuptojmë fuqinë epike që kanë njerëzit kur duan ta nxjerrin në dritë të vërtetën edhe nëse thyhen, nuk munden…

Me ngritjen e Muzeut, qëllim parësor e kisha idenë që të ruaja gjallë kujtesën e ngjarjeve historike dhe dëshmitë e shkruara dhe ato materiale mbi veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit tonë, andaj Vendimi i Senatit i datës 17 tetor 2012 ka qenë moment krenarie ku mësonjëtoren e parë- mejtepin e Xhamisë së fshatit Poroj të UT-së e shpallëm Muze të Universitetit të Tetovës.

Aty u ekspozuan eksponate të ndryshme dhe të njëjtat i shërbejnë publikut dhe vizitorëve për hulumtime. Sfidë e madhe në këtë rrugëtim ka qenë ruajtja e origjinalitetit me çka akoma ruhet fryma e misionit që mbart kjo vatër historike. Për më tepër, ky Muze ofron një galeri të personazheve që lidhen ngushtë me historikun e Universitetit të Tetovës, që përmes rrëfimeve pikante, historive, të dhënave dhe gjësendeve, në mënyrë krejt të pavullnetshme krijuan trashëgimi kulturore materiale e cila sot gjendet në Muzeun e Universitetit të Tetovës.
Me ngritjen e Muzeut, u shuan të gjitha spekulimet kuturu, sepse nuk ishin të paktë ata që përmes qëndrimeve aspak argumentuese dredhonin historinë për dëshira vanitoze dhe të paskrupullta.

Me ngritjen e Muzeut, i zgjuam nga narkoza një grup njerëzish që daraviteshin të gjejnë të vërtetën tek spekulimet.
Me ngritjen e Muzeut, e përsosëm arkitekturën e Universitetit të Tetovës dhe ngritëm një kryevepër me histori të gjalla.
Me ngritjen e Muzeut, jetësuam një IDEAL!