Hiqen kioskët, por jo pengesat: Kaosi për këmbësorët vazhdon në Bit Pazar

Dy kioskë u larguan nga BitPazari me qëllim lirimin e hapësirave publike, por në betonin që mbeti, shitësit ambulantë të frutave dhe perimeve kanë vendosur tezgat e tyre. Për shkak të mos largimit të betonit dhe lirimit të plotë të trotuarit, qarkullimi për këmbësorët vazhdon të mbetët i vështirë.

Nga ana tjetër mbikalimi vazhdon të mos jetë funksional ndërsa qytetarët nuk kanë alternativë tjetër përveç se të kalojnë në rrezik vendkalimin ilegal për të cilin akoma nuk ka një zgjidhje.

“Duhet të zgjidhet problemi sepse ura është aty por nuk shfrytëzohet e këtu është shumë rrezik por edhe bëjmë rrëmujë me veturat e ndaluara. Të lirohet ura do ishte më mirë, tha një qytetar.

“Kështu është rrezik por kalojmë çfarë të bëjmë. ”Unë mendoj se duhet të ketë semaforë këtu, tha një qytetar.

Edhe pse qytetarët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë për shkak të rrezikut të këmbësorëve, nga Qyteti i Shkupit thonë se ende po kërkojnë një zgjidhje ideale për këtë vendkalim të rrezikshëm.

“Qyteti i Shkupit është plotësisht i informuar për gjendjen në lokacionin pranë Bit Pazarit dhe për faktin se një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të përdorin kalimin e paligjshëm për këmbësorë, duke krijuar kështu një rrezik serioz për sigurinë. Në kuadër të kompetencave të tij, Qyteti po ndërmerr aktivitete për të gjetur një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme, e cila do të mundësojë lëvizje të sigurt për këmbësorët dhe do të parandalojë përdorimin e mëtejshëm të kalimit të paligjshëm, në përputhje me legjislacionin e trafikut dhe në interes të të gjithë qytetarëve. Sa i përket bazës prej betoni që mbeti pas largimit të kioskës, heqja e saj është paraparë në kuadër të rregullimit të hapësirës dhe do të realizohet sipas dinamikës së përcaktuar nga shërbimet kompetente të Qytetit,” thanë nga Qyteti i Shkupit.

Edhe nga Komuna e Çairit thonë të njëjtën se ende po kërkohet një zgjidhje të duhur për këtë vendkalim.

“Rruga në këtë lokacion është nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, ndërsa mbikalimi nuk është funksional. Komuna e Çairit në koordinim me Qytetin e Shkupit dhe institucionet kompetente po punojnë për gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme dhe më të sigurt për qytetarët. Në kuadër të këtyre analizave po shqyrtohet alternativa përfshirë edhe mënyrën e kalimit të këmbësorëve me qellim rritjen e sigurisë në këtë lokacion,” thanë nga Komuna e Çairit.

Deri tani në vendkalimin ilegal në BitPazar të Shkupit dhjetëra qytetarë kanë pësuar lëndime si shkak i aksidenteve ndërsa disa raste kanë përfunduar edhe me fatalitet. Në rastin e fundit të një aksidenti të disa javëve më parë një grua dhe një burrë përfunduan me lëndime në spital në tentativë për të kaluar këtë vendkalim ilegal. Opsioni i fundit që ka qarkulluar sipas autoriteteve është largimi i urës së Bit Pazarit dhe legalizimi i vendkalimit./Alsat.mk