Hipokrizia politike e LDK-së dhe AAK-së: Ata që shkelën parimet po i kërkojnë sot PSHDK-së moral

Shkruan: Emanuel Demaj

LDK ka qenë në koalicion qeverisës me VV-në. A ishte VV-ja parti e majtë atëherë? Përse nuk u ngrit asnjë debat për parime kur vetë LDK hyri në qeveri me të? Pse sot qortojnë PSHDK-në, kur të njëjtën gjë e kanë bërë vetë më parë?

E njëjta gjë vlen edhe për AAK-në, që në pothuajse të gjitha komunat ka bërë koalicione me VV-në. A ishin prishur parimet atëherë? Natyrisht që jo, sepse politika e koalicioneve është çështje rrethanash, interesi publik, programi dhe vizioni.

Prandaj është e pakuptimtë dhe jo serioze që sot dikush nga këto parti t’i japë leksione PSHDK-së për parime, kur vetë i kanë shkelur shumë më herët se ne. Disa nga këta kritikë janë pikërisht ata që e kanë përdorur PSHDK-në për interesa personale, një mjet për të kaluar pragje, për të siguruar pozita dhe për të marrë përfitime elektorale, dhe në fund pas zgjedhjeve e injoruan dhe e nënçmuan partinë. Rasti në Gjakovë është shembulli më i freskët.

Po këta që sot flasin për të majtë dhe të djathtë harrojnë se parimet i kanë shkelur vetë vite më herët, duke lidhur aleanca me çdo krah politik sa herë u është dashur. Nuk mund të flasësh për moral politik nëse ke bërë tri herë më shumë atë që sot po e kritikon.

PSHDK nuk ka pse të japë llogari për një vendim që është marrë me vota unanime nga Këshilli i Përgjithshëm, mbi bazën e interesit të partisë, të anëtarësisë dhe të elektoratit. Koalicioni i 28 dhjetorit është vendim i pjekur, i domosdoshëm dhe i orientuar kah e ardhmja e PSHDK-së, dhe jo një shërbim për ata që dikur e shfrytëzuan këtë parti për përfitime të tyre të ngushta.