Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës, ishte angazhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në maj të 1998-ës, konkretisht nga Madeleine Albright sekretarja e atëhershme e SHBA-së të cilës edhe i raportonte.
Hill- tani diplomat në pension – tha se rolin e tij e ka kuptuar si diplomat që duhet të ofrojë një mbështetje ose zgjidhje politike dhe rrjedhimisht të ndihmojnë që të zmbrapsen forcat në Kosovë nga dhuna në rritje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Që në fillim fare jam përpjekur që me kolegët e Departamentit të Shtetit të mund të ndërtonim një plan autonomie në mënyrë të tillë që të kthehej autonomia e Kosovës, në mënyrë që Kosova të kishte vetëqeverisjen e vet. Kjo ishte pista kryesore që ndiqnim me Kosovën dhe Serbinë”, tha Hill.
Dëshmitari këtë e tha duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.
Dëshmitari duke treguar për funksionin që ka pasur në Maqedoni dhe në Shqipëri, tha se çështja e Kosovës ishte një temë e madhe në Ballkan, por që nuk ishte e vetmja duke iu referuar edhe çështjes së luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci.
“Kosova ishte një temë shumë e madhe për Ballkanin, por në atëkohë s’ishte e vetmja çështje që diskutohej sepse kishte shumë luftëra që ndërhynin në këtë çështje si lufta në Bosnjë dhe Kroaci”, tha ai.
Deri në maj të viti 1998, Hill tha se nuk e ka vizituar Kosovën deri kur iu kërkua që të merrte përgjegjësi shtesë nga ana e SHBA-së.
Dëshmitari tha se në bisedat e Dejtonit kanë qenë të përqendruara në përfundimin e luftës në Bosnje, por që tema e Kosovës përmendej nga shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova që kërkonin zgjidhje për Kosovën. Tha se ka biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin.
“Më kujtohet që kam pasur biseda të drejtpërdrejta me presidentin Millosheviq në kontekstin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit se e dinim që Kosova do të ishte çështja tjetër e radhës”, tha Hill.
Hill ka mbajtur pozita të të rëndësishme në Ballkan gjatë karrierës së tij diplomatike gjatë viteve të ’90-a, përfshirë ambasador në Shqipëri, pastaj ambasador më Maqedoni (96-98), nga maji i 98-s Departamenti amerikan i Shtetit atij iu ngakua detyra e të dërguarit të Posaçëm për Kosovën.
Edhe pas pensionimit, ai e pranoi ftesën e DASH-it për tu bërë ambasador i SHBA-së në Serbi nga viti 2022 deri në janar të 2025-tës.
Ai ka punuar edhe bashkë me ambasadorin Richard Hodlbroke për marrëveshjen e Daytonit dhe atë të Holdbroke në tetor të 98-ës, të cilën Serbia e refuzoi.
Hill nis dëshminë në Hagë
(Tekst i përditësuar) – Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Hill, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës.
Hilli është dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçit.
Hill ka luajtur një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999.
Christopher Hill kur u pyet gjatë seancë në Hagë se kur e kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontaktin e parë me UÇK-në, ai tha se është e vështirë që t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, për shkak se ishte e pamundur që të gjeje një udhëheqës aty.
Përveç kësaj, Hill tha se ishte e pamundur që të gjendej ndonjë person që të fliste me autoritet në UÇK. Kurse, për diplomatin Robert Gelbard, ai tha se e quajti UÇK-në terroriste dhe se e sheh si “sinjal” për sulmin ndaj familjes Jashari.
“Kjo është përgjigje e thjeshtë për t’u përgjigjur. Do të duhej të ishte kështu, por nuk është përgjigje e thjeshtë. Problemi i madh natyrisht është se me UÇK-në ishte paaftësia dhe pamundësia për të gjetur një udhëheqje aty, për të gjetur njerëz që flisnin me autoritet aty”, tha Hill.
Veç kësaj, Christopher Hill tha se Robert Gelbard ishte takuar me disa njerëz në Zvicër që pretendonin se ishin udhëheqës të UÇK-së, gjë të cilën thotë se nuk e beson.
“Robert Gelbard i cili kishte mbajtur pozitën që mbajta unë deri që atij i është kërkuar që të përqendrohej tërësisht në Bosnjë – pra bëhej fjalë për maj të 1998-ës, pra ai kishte pasur disa takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe kishte dëgjuar që ata ishin përgjegjës të UÇK-së. Nuk mendoj që kjo ishte e vërtetë dhe nuk ka pasur ndonjë provë që ata ishin në fakt të tillë. Pra, udhëheqës të UÇK-s”, tha ai.
Dëshmitari Hill theksoi se nuk i kujtohet se kush ishin ata persona. Megjithatë, sipas tij, janë bërë përpjekje për të zbuluar se kush ishte në udhëheqje të UÇK-së.
Ndërsa, për njerëzit që ishte takuar Gelbard, sipas dëshmitarit, ishin njerëz që kishin simpati të madhe ndaj UÇK-së si lëvizje e përshpejtuar drejt pavarësisë. Përveç kësaj, ai tha se Gelbard e kishte quajtur UÇK-në terroriste.
“Ai e konsideronte UÇK-në si terroriste. Kjo ishte në shtyp. Kjo ishte koment që ai bëri për shtypin dhe kjo ndodhi menjëherë pak kohë më pas një incidenti ku forcat e sigurisë serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe për pasojë të gjithë u vranë aty. Ky ishte shpërthim i madh i veprimeve armiqësore pra. Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte terroriste dhe kjo njëfarë mënyrë kishte shkaktuar këtë ngjarje të veçantë të shkaktuar nga forcat e sigurisë serbe”, tha.
Hill tha se ndjehej sikur Gelbard kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Megjithatë, ai tha se për këtë nuk ka prova.
Po ashtu, ai tha se Gelbard mbajti qëndrim të ashpër ndaj palës serbe derisa solli deklaratën e Millosheviqit ku ai tha se nuk do të takohej më me diplomatin amerikan.
Dëshmitari tha se në verë dhe vjeshtë të 1998-ës janë përpjekur që të gjejnë një udhëheqës të UÇK-së për të folur për çështjet e situatës. Por, sipas tij s’kishin pasur sukses. Përveç kësaj, ai tha se ishin takuar me një person në Tiranë, i cili ishte deklaruar si i tillë por që edhe ai sipas dëshmitarit nuk ka qenë udhëheqësi sipas pikëpamjes së tyre. Ky person ishte sipas dëshmitarit Xhavit Haliti me nofkën “Zeka”.
Dëshmitari Christopher Hill, përfaqësues special i Departamentit Amerikan të Shtetit, tha para Gjykatës Speciale në Hagë se më 98-tën e pati të vështirë ta gjente se kush e drejtonte UÇK-në. Hill tha se i pari përfaqësues i UÇK-së që e takoi ishte Xhavit Haliti.
“Ishte në verë të 98-ës, derisa punoja me stafin tim dhe të tjerë, çështja ishte të gjenim një zyrtar të UÇK-së apo një grup zyrtarësh me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Dua të shtoj se kam punuar për njëfarë kohe në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundimin se nuk ekzistonte një udhëheqje e tillë… Në një moment patën shkuar në Tiranë për të takuar një person që na ishte përshkruar si udhëheqës i UÇK-së, si kreu i UÇK-së. Përfundimi im dhe përfundimi i kolegëve të mi ishte se: po, natyrisht ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por jo nuk mund të flasë në emër të UÇK-së”, tha Hill tek iu referua Halitit.
Megjithatë, ai tha se në verë apo vjeshte të 98-ës shkoi në Likoc.
“Me sa më kujtohet kemi shkuar të kuptonim më mire se kush e udhëhiqte UÇK-në dhe t’i joshnim të bëheshin pjesë e procesit politik”, tha Hill. Ai tha se e pa një tavolinë të gjelbër të rregulluar për takim me shishe me ujë mineral, por askush nuk merrte përgjegjësi për marrëveshje politike.
Hill tha se në zyrën e UÇK-së në Likoc i çoi Mehmet Hajrizi. Sipas tij, kur ai i kërkoi Hajrizit ta hapte takimin, Hajrizi ia refuzoi këtë kërkesë duke I thënë se Hilli duhet ta fillonte atë. Në faqen e librit që u shfaq në gjykatore shkruhej se në këtë takim foli Rexhep Selimi. Hill i cili ka qenë ambasador i SHBA-së nga viti 2022 deri në fillim të 2025-ës, u shpreh se më 98-ën kur ishte në Shtime forcat serbe ia goditën me armë zjarri veturën. Në veturë sipas tij ishte edhe Fehmi Agani i cili i tha se ky veprim ishte provokim i forcave serbe. Hill tha se këtë incident nuk e ka raportuar kurrë zyrtarisht në Departamentit Amerikan të Shtetit.




