Hilet qysh nga fillimi i konkursit, për grantet e Ministrisë së Kulturës

Shkruan: Fitim Nuhiu

Tradita e granteve për shoqërinë civile, veçanërisht në aspektin e kulturës dhe artit ka qenë qysh nga kohërat e hershme të ish RFSJ-së, në Maqedoni. Mirëpo dikur projektet e përpiluara e të hartuara dorëzoheshin në mënyrë fizike (dokumentet) në zyrat përkatëse të Ministrisë së Kulturës, gjegjësisht në sektorët përkatës për secilën kategori, qoftë të veprimtarisë botuese, qoftë për artet skenike, e kështu me radhë.

Falë teknologjisë së sotme që supozohet të synojë t’ia lehtësojë qasjen qytetare ndaj çdo lloj aplikimi e shërbimi, ajo si duket na është bërë e kundërta e asaj që është synuar. E them këtë ngaqë, kur doli njoftimi për “konkurse vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në fusha të caktuara dhe aktivitete kulturore për vitin 2024” sikur dhanë “sqarimet” në formatin e shkruar “word” por edhe përmes një linku në youtube, duke shpjeguar edhe përmes videos, si duket kjo ishte sa për të thënë më pas që i keni pasur të gjitha “sqarimet detajizuese” e për t’ia mbyllur gojën kushdo që ankohet për një gjë të tillë. Vlen të përmendet që në “sqarimet dhe shërbimet qytetare” Ministria në fjalë ka ekspozuar edhe emrat e punonjësve me numrat dhe emailat e tyre, që qytetarët t’i pyesin për ndonjë detaj shtesë, por ja që si për ironi, nuk i kthejnë asnjë përgjigje, edhe nëse i shkruan, sepse siç ‘parandiejmë’ që në krye të herës, që të gjitha këto “oferta shërbimesh” kanë qenë sa për fasadë. Sidoqoftë, nëse qytetari dëshiron të aplikojë si person fizik, mos të flasim si person juridik (përmes ndonjë shoqate qytetare (të panjohur për politikën) që heqin të zinjtë e ullirit) formularët janë të një versioni shumë detajizues, sa që njeriu me logjikë të shëndoshë mund të pyesë, mos ndoshta jam duke plotësuar ndonjë formular për t’u bërë pilot special, e për t’u ngjitur në Hënë.

Përveç kësaj, marrim si shembull, nëse aplikanti konkuron për ndonjë botim të librit të tij/saj profesional, kërkesat që janë të parashtruara janë të një modeli tepër mundues sa që qytetari i rëndomtë kur e sheh listën e stërzgjatur, lirisht mendon versionin e dorëzimit para një liste shumë “profesionale” të kërkesave të tipit: psh. një numër kodi që merret fizikisht (e jo në formën elektronike) në zyrat e veçanta në bibliotekën kombëtare ose pranë Ministrisë së Kulturës, lektorë me provimin e dhënë profesionist, me nënshkrim, recensentë të kualifikuar e të njohur nga shteti, cv të tyre, etj, etj, gjë që dorën në zemër, mirë do të ishte kjo gjë, ama sikur të ishte sistemi i përsosur gjithandej, e jo të kërkohet nga qytetari për gjëra të tilla (ndoshta ndonjëherë edhe të pamundura). Qytetari i rëndomtë, krejt në fund nëse ia ka dalur, ka gjetur ndonjë njeri të shkathtë për këtë konkurim, dhe nëse i ka kryer të gjitha këto detyrime dhe kërkesa të shumta, i mbetet në fund, ose të gjej ndonjë të njohur në Ministrinë e Kulturës që t’ia kalojnë projektin në fjalë, ose thjesht t’i drejtojë duart drejt qiellit.

E gjithë kjo që e paraqes si shqetësim qytetar, duhet të na shqetësojë të gjithëve, se në çfarë sistemi jetojmë dhe veprojmë. Dikush duhet të fillojë të tentojë që të thyej këtë sistem burokratik që lë hapësira të ndryshme për zhvatje dhe keqpërdorime nga zyrtarët në kurriz të qytetarëve të denjë, por të mjerë, që kërkojnë nga dora e shtetit që t’ia kthejë (shpërblejë) sadopak taksat që paguajnë çdo ditë. Përse të mos jenë këto konkurse me formularë të thjeshtë aplikimi që mund ta kryejë kushdo që dëshiron të realizojë projektin e vet artistik, e mbi të gjitha qytetar?

Të gjitha këto që i kemi thënë, kemi fakte dhe dëshmi nga shumë qytetarë dhe artdashës që i kanë braktisur formularët e projekteve të tilla, arsyeja e thjeshtë: po kërkonin shumë gjëra!

Në komisionet për shqyrtimin e projekteve sërish janë ndërruar anëtarët. Pjesa më e madhe e kryetarëve dhe anëtarëve që u emëruan vitin e kaluar, pas reagimeve të shumta negative në opinion, por edhe kaosit që u krijua brenda vetë komisioneve dhe konflikteve mes anëtarëve, pra ata janë zëvendësuar me emra të rinj, pavarësisht se mandati i tyre nuk ka skaduar. Emërimet janë bërë pak ditë përpara mbylljes së afatit të konkurrimit dhe ajo që bie në sy është se në disa komisione ka me nga dy anëtarë shqiptarë, e në disa të tjera në veprimtari si Botimet apo Folklori kryetarët janë shqiptarë.

Më 2 nëntor, ministrja e kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska deklaroi se numri i aplikimeve ka qenë rreth 1.000. Edhe vitin e kaluar numri i aplikimeve ishte i vogël, rreth 3.000.

Citojmë: “Për shkak të problemeve teknike të ndodhura si pasojë e mbingarkesës së sistemit, MK njofton se afati për aplikim në Konkurset Vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar në fusha individuale dhe aktivitete në kulturë për vitin 2024 është shtyrë deri në 8 nëntor e mërkurë, deri në orën 23:59). Theksojmë se në 24 orët e fundit kanë mbërritur mbi 800 aplikime dhe ju bëjmë thirrje që të mos prisni momentin e fundit për të shmangur pengimin e procesit të aplikimit nga pikëpamja teknike”, – thuhet në njoftimin për media.

Mos ndoshta këto vështirësi gjatë aplikimit janë kurthe dhe hile qysh në fillim, që t’ia japin përgjigjen qytetarëve, duke i thënë, thjesht, mos u mundoni të kërkoni para nga shteti, ose edhe nëse ndodh që t’ua japim, duhet ta ndajmë përqindjen tonë dhe se duhet pasur parasysh se gjithnjë do të jeni të përulur përballë nesh…!

Prandaj edhe u mor vendimi që të shtyhet konkursi për disa ditë më tej, kinse për probleme teknike, bla-bla, por ja që diçka po zihet këtu.