Rusia i ka ndjekur me dronë civilët që jetojnë pranë vijës së frontit në Ukrainë, duke i përzënë nga shtëpitë e veta, sipas një hetimi të Kombeve të Bashkuara.
Hetimi ka gjetur se Rusia i ka gjahtuar civilët duke i detyruar mijëra njerëz t’i braktisin tërësisht zona të tëra, një veprim që përbën krim kundër njerëzimit.
Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar dhe Hetimor për Ukrainën tha se civilët janë ndjekur në distanca të gjata nga dronë me kamera të montuara, dhe më pas janë sulmuar me bomba ndezëse ose eksplozivë derisa po përpiqeshin të strehoheshin.
“Këto sulme janë kryer si pjesë e një politike të bashkërenduar për t’i dëbuar civilët nga ato toka, dhe përbëjnë krim kundër njerëzimit për zhvendosje të detyruar të popullsisë”, thuhet në raportin 17-faqësh që pritet t’i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë.
Gjetjet e raportit bazohen në intervista me 226 njerëz, përfshirë viktima, dëshmitarë, punonjës ndihme dhe autoritete lokale, si dhe në qindra video të verifikuara online.
Sulmet e përshkruara në raport ndodhën në tri rajone në Ukrainën jugore, pranë vijës së frontit dhe përtej lumit Dnipro, dhe u kryen nga forcat ruse gjatë një periudhe prej më shumë se një viti.
Rusia e mohon se shënjestron civilët në Ukrainë, megjithëse forcat e saj kanë vrarë mijëra civilë qëkurse nisi pushtimi i plotë tri vjet e gjysmë më parë.
Një grua nga Hersoni u ndoq nga një dron në gusht të vitit 2024, derisa po e parkonte veturën, dhe më pas u sulmua e u plagos gjatë përpjekjeve për t’u strehuar në garazhin e saj, thuhet në raport.
Të njëjtën ditë, dy dronë të tjerë arritën dhe goditën shtëpinë e saj, të cilën ajo më pas e braktisi.
Sulmet me dronë kanë shkaktuar një ulje të ndjeshme të popullsisë në disa zona, thuhet në raport, në të cilat kanë mbetur vetëm të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.
“Nuk mund të ketë asnjë dyshim se operatorët e këtyre dronëve veprojnë me qëllim”, tha për Reuters Erik Mose, udhëheqës i hetimit.
“Ata po ndjekin në mënyrë të qëllimshme njerëz, qoftë në kopshtet e tyre, në shtëpi apo në rrugë”, shtoi ai.
Disa nga të mbijetuarit e intervistuar nga hetuesit e OKB-së thanë se ndiheshin “si të gjahtuar”, dhe Mose shtoi se autorët kishin përdorur të njëjtin term në videot e postuara online nga dronët.
Edhe brigadat e zjarrfikësve, mjekët dhe ekipet e tjera të ndihmës së parë janë goditur, duke lënë banorët pa shërbime emergjente atje ku u duhen më së shumti, thuhet në raport.
Raporti dokumenton gjithashtu se autoritetet ruse kanë bashkërenduar veprime për të dëbuar ose zhvendosur civilët nga zonat që janë nën kontrollin e tyre në rajonin Zaporizhja, gjë që, sipas raportit, përbën krim lufte./rel




