Hetim për kanabisin/ Kontrolle në të gjitha fabrikat e kanabisit mjekësor në vend

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB ende po hetojnë nëse pesë tonelatat e marijuhanës së sekuestruara në Serbi janë prodhuar në fabrikat e kanabisit mjekësor në vend.

Ky nuk është rasti i parë kur fabrikat e kanabisit mjekësor, për shkak të parregullsive, bëhen qendër e vëmendjes së opinionit. Nga MPB njoftojnë se vitin e kaluar kanë konstatuar parregullsi në katër kompani për prodhimin e këtij kanabisi.

Në lidhje me ngjarjet janë paraqitur katër kallëzime penale kundër gjashtë autorëve, si dhe kundër katër personave juridikë, me ç’rast janë sekuestruar mbi dy tonë e 132 kilogramë marihuanë dhe 2.148 bimë kanabisi, ndërsa është konfiskuar edhe një sasi ende e pacaktuar e dorëzuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar.

Që nga viti 2017, kur u lejua kultivimi i marijuhanës për qëllime mjekësore, fabrikat e licencuara shpesh janë bërë objekt i vjedhjeve dhe abuzimeve. Në një fabrikë marihuane në Vrapçisht u zbuluan mbi 300 kilogramë lule marijuhane të paketuara në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa kontrolli në të njëjtën fabrikë konstatoi tepricë prej 23 kilogramë lule të thata kanabisi. Në një fabrikë marihuane në Krushevë që ishte në falimentim u kryen vjedhje të 60 kilogramëve marihuanë dhe mbi 100 shishe me vaj kanabisi.

Nga dje, organet shtetërore kompetente morën dritën jeshile nga Qeveria për të kryer kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha fabrikat e kanabisit mjekësor në vend./ Alsat.mk