Heshtja e Kurtit karshi Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ia ka rrëzuar të gjitha pretendimet të cilat i ka përmendur vazhdimisht tash e një muaj. Albin Kurti ende nuk ka reaguar, teksa po i numëron orët e tij të fundit në karrigen e kryeministrit.

Pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë së tij me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti u angazhua me lëvizjen e tij për të kërkuar zgjedhje të reja. Pretendimi ishte se askush pa ta nuk mund ta formojë qeverinë e re. Këtë kërkuan ta pohojë Gjykata Kushtetuese, por autoriteti përfundimtar në vend për interpretimin e Kushtetutës nuk pati përgjigje pozitive për Kurtin dhe partinë e tij.

Të zhgënjyer e me mllef reaguan shumë zyrtarë të lartë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, por ende i heshtur po qëndron shefi i tyre.

Numri dy i LVV-së, Glauk Konjufca tha se vendimi i Kushtetueses “do të shkaktoj revoltë qytetare”.

“S’ka zgjedhje më, badihava paska votu qytetari edhe badihava voton”, deklaroi ai.

Edhe më ashpër reagoi Albulena Haxhiu, nënkryetare e këtij subjekti politik dhe ministre në detyrë e Drejtësisë. Duke e quajtur skandaloz interpretimin e Kushtetueses, ajo tha se “këto vendime mund të thuhet se janë shkruar nga zyra e Hashim Thaçit”, teksa paralajmëroi edhe eskalim të situatës

“Ne nuk e kemi marrë pushtetin me dhunë, ata që kanë bërë pazare duhet të marin përgjegjësi nëse situata eskalon”, ka deklaruar Haxhiu.

Protestat siç duket do të jenë mjeti i pashmangshëm të cilin LVV si opozitë e ardhshme do ta shfrytëzojë si në kohët kur ishte pa pushtet.

E rrezikshme, në anën tjetër, mund të jetë një rezistencë fizike e zyrtarëve të LVV-së për t’i lëshuar zyret e ekzekutivit pasi të votohet qeveria e re me Avdullah Hotin kryeministër. Kjo nuk është mohuar nga zyrtarët e këtij subjekti politik.