Heshtja e çuditshme e Vjosa Osmanit, asnjë fjalë për shkarkimin e Veliut

E lidhur me këtë vendim të Kurtit nuk e ka thënë as edhe një fjalë – përfaqësuesja më e lartë e LDK-së në institucionet e tanishme të Kosovës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Osmani sot ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe në komunikatë thuhet se në këtë takim është biseduar për zhvillimet politike dhe gjendjen me koronavirusin.

Por, mos-reagimi i Osmanit nuk i ka ndalur nënkryetarët e LDK-së dhe kreun e partisë së saj, Isa Mustafa t’ia bëjnë me dije Kurtit se sipas tyre ka gabuar me shkarkimin e Veliut.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur se shkarkimi i Veliut është në kundërshtim me marrëveshjen për koalicion midis LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se Kurti sot nuk e ka shkarkuar Veliun por e ka shkarkuar vetën e tij.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është shprehur se pa Agim Veliun nuk mund të ketë as koalicion midis LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Ajo që vlen të ceket është se tani ka filluar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku do të vendoset edhe për fatin e koalicionit midis LDK-së dhe Vetëvendosjes.