Hersoni i Ukrainës përballet me “katastrofë ekologjike”

Pak orë pasi diga Nova Kahovka, e vendosur në rrjedhën e sipërme të lumit Dnjepër, u hodh në erë më 6 qershor, varrezat në fshatin Odradokamjanka në rajonin e Hersonit u përmbytën.

Tre ditë më vonë, kur Mykhailo Boyarskiy, një fermer nga fshati i afërt Kozaçke, shkoi te varrezat e të afërmve, ai pa kryqe druri dhe monumente graniti të mbuluara me baltë dhe barëra të këqija. Në ajër vinte edhe erë e peshkut të ngordhur.

Peshqit e ngordhur shihen në fund të rezervuarit të Nova Kahovkas disa ditë pas shpërthimit të digës.
Peshqit e ngordhur shihen në fund të rezervuarit të Nova Kahovkas disa ditë pas shpërthimit të digës.

Thyerja e digës hidroelektrike, që daton nga koha sovjetike dhe kontrollohet nga Rusia, shkaktoi përmbytje të mëdha, që çuan në evakuimin e dhjetëra mijëra njerëzve nga të dyja anët e lumit Dnjepër në rajonin jugor të Ukrainës, Herson.

Incidenti shkaktoi, gjithashtu, atë që shumë frikësohen se është një prej fatkeqësive më të mëdha mjedisore të Evropës në disa dekada.

Ndryshe nga disa fshatra të vendosura në një lartësi më të ulët poshtë Dnjeprit, Odradokamjanka u përmbyt në një masë më të kufizuar. Tri ditë pas thyerjes së digës, disa shtëpi mbetën nën ujë dhe liqenet e saj artificiale u derdhën thellë në fushat përreth.

“Mesa duket i kemi dëbuar prej këtu vetëm për ta pasur këtë rrëmujë në këmbim”, thotë Boyarskiy, duke iu referuar trupave të dëbuara ruse nga ushtria ukrainase, vjeshtën e kaluar.

Varrezat pjesërisht të përmbytura në Odradokamjanka në rajonin Herson.
Varrezat pjesërisht të përmbytura në Odradokamjanka në rajonin Herson.

Dy nga miqtë e Boyarskiyt, që preferuan të mos e zbulonin identitetin e tyre – fermerë të moshës së mesme që kujdesen për kafshët lokale – ishin në fshat natën kur u shkatërrua diga Nova Kahovka.

Burrat me fytyra të lodhura nga mungesa e gjumit thanë se, pasi dëgjuan një zhurmë të madhe, shkuan në breg të lumit me një aparat termografik dhe panë rrëketë e ujit.

Bagëtitë e fermës dhe kafshët e egra u përpoqën të notonin në bregun më të lartë të Dnjeprit, thanë ata, por rryma e ujit i fundosi.

Ushtarët rusë “i mori uji”

Ata thanë, po ashtu, se një grup rus i zbulimit, që po i afrohej territorit të kontrolluar nga ukrainasit me një varkë, u kap në befasi nga përmbytjet dhe kërkoi shpëtim në një nga ishujt e shumtë të lumit. “Por, në fund, ushtarët rusë i mori uji”, thanë ata.

Boyarskiy shkoi në Odradokamjanka me shokun e tij, Eduard Laktyonov, për të çuar ndihma humanitare për disa nga 300 të mbeturit në fshatin që kishte më shumë se 3.300 banorë përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Shumica e atyre që mbetën, nuk mundën të largoheshin për shkak të pleqërisë dhe shëndetit të dobët.

Mykhaylo Boyarskiy (majtas) dhe Eduard Laktyonov ndihmojnë banorët që mbeten në fshatrat e vijës së parë në rajonin e Hersonit.
Mykhaylo Boyarskiy (majtas) dhe Eduard Laktyonov ndihmojnë banorët që mbeten në fshatrat e vijës së parë në rajonin e Hersonit.

Shkëmbimi i ndërsjellë i zjarrit përreth Dnjeprit nuk u ndal, përkundër evakuimeve dhe misioneve të shpëtimit që zhvilloheshin në rajonin e Hersonit.

“Banorët lokalë luftojnë për t’ia dalë mbanë me predha dhe raketa që gjuhen çdo ditë dhe çdo natë”, thotë Kostyantyn Kyrychenko, 41 vjeç, një nga më të rinjtë e paktë që ka mbetur në fshat. Ai ka energji elektrike vetëm nga një gjenerator benzine dhe një sasi shumë të kufizuar uji të pijshëm.

Kostyantyn Kyryczenko po qëndron në Odradokamjanka pavarësisht granatimeve pothuajse të vazhdueshme.
Kostyantyn Kyryczenko po qëndron në Odradokamjanka pavarësisht granatimeve pothuajse të vazhdueshme.

Gruaja dhe vajzat e tij janë zhvendosur në Republikën Çeke, ndërsa djali dhe vëllai i tij janë duke shërbyer në ushtrinë ukrainase. Ai po qëndron në fshat për t’i ndihmuar të moshuarit. Shtëpia e tij u shkatërrua pjesërisht nga predhat që ranë afër saj, dhe ai ka vetëm një bodrum për t’u fshehur.

“E vetmja gjë që më duhet është të më sjellësh një palë syze të reja”, i tha ai Boyarskiyt, i cili i dorëzoi një kuti me ushqime dhe produkte të tjera, ndërsa Kyrychenko i dha një peshk të sapokapur.

Sipas disa banorëve, ushtria ruse po e bombardon Odradokamjankën me mortaja, predha artilerie dhe raketa dhe e sulmon atë çdo ditë me avionë.

Shumë shtëpi private, shkolla, këshilli i fshatit, ndërtesa të tjera dhe monumenti i një ushtari të panjohur janë rrafshuar me tokë.

Një ndërtesë në Odradokamyanka është rrafshuar me tokë si pasojë e sulmeve ajrore.
Një ndërtesë në Odradokamyanka është rrafshuar me tokë si pasojë e sulmeve ajrore.

Popullsia civile e rajonit Herson, e cila fillimisht i mbijetoi pushtimit brutal rus dhe më vonë bashkëjetoi me granatime të përditshme dhe sulme ajrore, tani është e detyruar të përballet me atë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi si “një bombë mjedisore të shkatërrimit në masë”.

Ekosistemet e tëra “në rrezik”

Ky kërcënim ndihet shumë në Parkun Natyror Kombëtar “Kamjanska Sih”.

Ministri i Mjedisit i Ukrainës, Ruslan Strilets, tha se, në disa vende, uji në këtë rezervuar është larguar për pothuajse 160 metra nga bregu.

Brigjet do të shndërrohen në këneta kripe dhe nuk do të jenë të përshtatshme për ndonjë gjallesë, për dekada të tëra, tha ai.

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 28.000 peshq tashmë kanë ngordhur për shkak të shterjes së ujit.

Drejtori i Parkut “Kamjanska Sih”, Serhiy Skoryk, i cili kaloi muajt e fundit duke deminuar vendin, tani është i zënë me kontrollin e nivelit të ujit dhe lehtësimin e dëmeve anësore, të shkaktuara nga përmbytjet.

Niveli i ujit po bie në një lumë në Parkun Natyror Kombëtar Kamyanska Sih.
Niveli i ujit po bie në një lumë në Parkun Natyror Kombëtar Kamyanska Sih.

Tri ditë pas thyerjes së digës, ai dhe ekipi i tij hoqën kutitë me lëndë shpërthyese, të lëna nga rusët, dhe të zbuluara nën një urë të shkatërruar.

Parku Natyror Kombëtar “Kamjanska Sih” është një nga 60 zonat e mbrojtura që pësuan për shkak të thyerjes së digës Nova Kahovka, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivan Moysiyenko, shef i Departamentit të Botanikës në Universitetin Shtetëror të Hersonit dhe anëtar i Grupit të Ruajtjes së Natyrës në Ukrainë.

Niveli i ujit është rritur në liqenet artificiale që rrethojnë fshatin Odradokamjanka.
Niveli i ujit është rritur në liqenet artificiale që rrethojnë fshatin Odradokamjanka.

Përmbytja e zonave në Dnjepër të poshtëm, nën digën e shkatërruar Nova Kahovka, dhe tharja e zonave mbi të, ashtu si edhe ndotja e Detit të Zi do t’i vënë ekosistemet e tëra të florës dhe faunës në rrezik të humbjeve të pakthyeshme, shton ai.

Sipas Moysiyenkos, më shumë se 19 specie të rrezikuara, të listuara në Librin e Kuq të të Dhënave, dhe dhjetëra specie të mbrojtura nga Konventa e Bernës do të zhduken nga këto vende përgjithmonë.

Qindra specie dhe qindra mijëra kafshë dhe bimë do të preken, thotë ai.

Po sipas tij, fatkeqësia mjedisore do të prekë territore që nuk kanë qenë kurrë nën ujë, si Parku Kombëtar Natyror “Oleshky Sands” – shkretëtira më e madhe e Evropës – dhe do të destabilizojë vende të tilla si Rezerva e Biosferës e Detit të Zi, e mbrojtur nga UNESCO-ja.

“Kjo është një katastrofë ekologjike ndërkombëtare dhe për aq kohë sa luftimet vazhdojnë, për mjedisin nuk mund të bëhet shumë”, thotë Moysiyenko./REL