Helmohen nga ushqimi 6 seminaristë në Kumanovë

Qendra për Shëndet publik, Kumanovë (QSHP), raportoi per epidemi helmimi nga ushqimi, tek gjashtë persona, të cilët morën pjesë në një seminar trajnimi, më 11 shtator në një restorant në Kumanovë.

Prej gjithsej 36 pjesëmarrësve në seminar, 6 prej tyre kanë treguar simptoma të helmimit nga ushqimi – të vjella, diarre, ethe, temperaturë deri 41 gradë, dhimbje dhe ngërçe në stomak. Dy prej tyre janë hospitalizuar, tre janë në spital ditor, ndërsa një është në mjekim shtëpiak.
“Reparti për epidemiologji pranë QSHP në Kumanovë, raportoi per epidemi të ‘toksoinfeksionit ushqimor’ për gjashtë raste të raportuara – të sëmundjes me shenja të helmimit nga ushqimi nga gjithsej 36 persona të ekspozuar. Bëhet fjalë për pjesëmarrës në një seminar-trajnimi të organizuar nga një kompani në një restorant në Kumanovë. Pas konsumimit të ushqimit në ambientet e jashtme të restaurantit në orët e mbrëmjes së 11 shtatorit të këtij viti, të sëmurët zhvilluan simptoma të helmimit nga ushqimi pas katër, e deri 16 orë me të vjella të shumta, jashtëqitje të shpeshta me ujë në çdo 10, 15 ose 20 minuta, plogështi, temperaturë deri 41 gradë, ethe, dhimbje dhe ngërçe barku, dhimbje koke”, kumtuan nga QSHP Kumanovë.

Epidemiologu në QSHP Kumanovë dhe njësitë rajonale të Kumanovës të ISHSSH dhe AUV, më 15 shtator të këtij viti, pasi morën raportet e para për pacientë me shenja të helmimit nga ushqimi, kanë kryer mbikëqyrje të koordinuar në restaurant dhe mori mostra dhe tampona ushqimi për testim mikrobiologjik.