Hekurudha në Llopat, mungesa e shenjave rrezikon jetën e qytetarëve (Video)

Linja hekurudhore dhe shtëpia e parë, ndajnë vetëm 20 metra, ndërsa shenjat paralajmëruese për kalimin e trenit nuk funksionojnë. Qytetarët e fshatit Llopat ndjehen të rrezikuar dhe aspak të sigurt nga kjo situatë, pasi siç thonë ata këtë rrugë duhet ta kalojnë çdo ditë, e me raste disa herë në ditë.

Qytetar:

“Kjo ka ndodhur shumë herë, por e fundit ishte mbrëmë. Unë isha tek ajo kafja atje, treni vinte se edhe rampa atje poshtë nuk lëshohet, por semafori atje ndizet dhe treni shkon më ngadal. Por, ka ndodh shumë herë edhe aksidente që të ketë”.

Qytetar: 

“Mbrëmë kalova, treni kur erdh, kalova mbrëmë, nuk ka pasur as një minut. Treni ka qenë 50 metër larg meje, unë kalova me veturë, as ramp as asgjë”.

Këtë situatë e përjetoi edhe ekipi i Tv Shenja. Gjatë kohës që po qëndronte në fshatin Llopat, e përjetoi rrezikun që qytetarët e kësaj ane e ndjejnë çdo ditë.

“Treni kalon ndërsa trau nuk lëshohet, njëjt edhe nuk funksionojnë shenjat ndriçuese të komunikacionit. Kështu ndodh vazhdimisht në fshatin Llopat, në rrugën më të frekuentuar, pasi është e vetmja rrugë që lidh të gjitha fshatrat e komunës së Likovës me qytetin e Kumanovës”.

Qytetarët para dy netësh në rrjete sociale kanë publikuar edhe një video gjatë natës, kur treni kalon dhe trau nuk është e lëshuar.

Nga Hekurudhat e Maqedonisë -Infrastruktura, për Tv Shenja e konfirmojnë këtë problem, por thonë se të gjithë trenat kanë marrë urdhër që kur të arrijnë në atë vend të ndalen, ndërsa për të intervenuar në zgjidhjen e problemit shtojnë se duhet të presin derisa të rriten temperaturat.

Tabel: Boro Radevski, ndihmës drejtor për pajisje teknike, Hekurudhat e Maqedonis-Infrastruktura.

“Ju njoftojmë se hekurudha Kumanovë-Tabanoc, koridori 10, vendkalimi rrugor në fshatin Llopat, për momentin ka defekt dhe përshkak të qarkullimit të sigurt të trafikut, çdo tren ka urdhër që të ndalet, me qëllim që ta siguroj vendkalimin dhe pastaj vazhdon lëvizjen. Për shkak të temperaturave të ulëta nuk kemi mundësi që ta mënjanojmë defektin. Me përmirësimin e kushteve klimatike, problemi menjëherë do të rregullohet. Ju lutemi për mirëkuptim”.

Përndryshe, qytetarët e asaj ane thonë se për shkak të këtij problemi, aty kanë ndodhur disa aksidente.

Emine Ismaili /SHENJA/