Pas votimit të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, situata ka ndryshuar. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë për KosovaPress, thotë se veprimi siç e cilëson të njëanshëm për propozimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit, e më pas votimin e tij, ka lënë pasoja në negociatat e tyre.
Sipas tij, palët nuk duhet të kthehen në pikën zero të bisedimeve dhe t’i hedhin poshtë gjitha diskutimet paraprake.
Haziri për KosovaPress flet edhe për mundësitë e rikthimit të postit të kryeparlamentarit, votimin e qeverisës së pakicës, insistimin në postin e presidentit dhe zgjedhjet e reja.
“Jo detyrimisht duhet të diskutohet për gjithçka, por duhet të gjendet një rrugë që kthen palët në tavolinë. Duhet arsye e madhe që palët me u kthyer në bisedime. Arsye e madhe politike me u kthyer në bisedime. Duhet besim i madh me u ndërtu, sepse mosbesimi po shihet deri ku ka qu, deri tek vendimet e njëanshme. Duhet me përballu politikisht këtë situatë sepse vendi nuk duhet të hyjë në krizë politike”, thotë Haziri.
Mbi kërkesat e reja të LDK-së, pas votimit të nënkryetarit të VV-së për kryeparlamentar, Haziri nuk jep detaje, por thekson se situata ka ndryshuar dhe të gjitha duhet të diskutohen brenda tavolinës së bisedimeve me partinë fituese të zgjedhjeve.
Për këtë arsye, zërat për rikthim të kryetarit të Kuvendit, nënkryetari i LDK-së, i cilëson si lojëra të fëmijëve dhe që nuk sjellin zhbllokimin e situatës.
“S’kisha thanë me bërë lojën e fëmijëve. Këto vendime janë të rënda. Politikisht janë të përgjegjshme dhe nuk duhet me leju që partitë politike me bërë lojën e fëmijëve. Nëse është sjell një vendim është dashur me mendu mirë, qartë edhe drejt. Nëse sjellët një vendim në të ardhmen për lirimin e pozitës prapë duhet me u mendu mirë. Nuk shohë një debllokim të situatës në këtë mënyrë të zgjidhjes së problemeve”, thotë ai.
Edhe pse dje u mohua që LDK do të votonte për qeverinë Kurti dhe të qëndrojë në opozitë, Haziri i bën thirrje VV-së se qysh nesër të sjellë kabinetin qeveritar në Kuvend dhe votat e LDK-së do t’i kenë.
“Nëse e sjell në Kuvend një kabinet nesër ne e votojmë. Asnjë problem nuk është, pa pjesëmarrjen tonë”, u shpreh Haziri.
Për deklaratën e Kurtit, se presidenti Thaçi nuk e përcakton formimin e qeverisë, por LDK-ja nënkryetari i kësaj partie përsërit se emri i kryeministrit kalon nga zyret e tyre.
“Unë e kam thënë edhe më herët, emri i kryeministrit kalon nga LDK. Kështu, Albin Kurti si kandidat për kryeministër e ka konstatu dhe faktu se kështu ndodhë. Përkundër se proforma duhet me dhënë partia e parë, edhe presidenti. Por de fakto, emri i kryeministrit nga radhët e VV-së kalon nga zyrët e LDK-së dhe kjo është faktu”, thotë Haziri.
Nënkryetari i LDK-së vazhdon të insistoi se posti i presidentit do t’iu takojë atyre, pasi sipas tij, nuk është e shëndetshme që një parti t’i ketë disa poste kryesore kushtetuese.
Për këtë, Haziri thotë se ka rrezikim edhe nga presidenti aktual, i cili mund të jetë propozim i PDK-së.
“Nuk është e shëndetshme që një parti politike me i pas dy pozita, tri pozita institucionale. Le të themi sot Vetëvendosja e ka organin më të lartë Kushtetues Kuvendin, pritët me pas kryeministrin. Zotëri Thaçi është president që është votuar nga legjislatura e kaluar, por mbetët një derë e madhe nga opozita. Sepse vjen si nominim i PDK. Duke qenë një institucion i cili një formë ka mbet si opozitë së re dhe partive që pritët të marrin qeverisjen. LDK nuk ka asnjë pozitë kushtetuese në këtë riorganizim pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Nuk i takon që LDK me u gjyku për këtë riorganizim. Ne po dëshirojmë të kemi qartësi sepse nuk dëshirojmë të ndërtojmë koalicion me të panjohurën”, thotë ai.
Haziri u shpreh kundër zgjedhjeve të reja. Për këtë u shpreh se do të punojnë për t’i shmangur ato në arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës.