Haziri për Urën e Ibrit: Çdo veprim me mospërfillje të aleatëve do të ketë pasoja të pariparueshme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kosovës i duhet koordinim i plotë me aleatët për ndërtim të sigurisë.

Në një prononcim për Gazetën Express, ai tha se çdo veprim me mospërfillje ndaj tyre do të ketë pasoja të pariparueshme.

“Për tri vite e gjysmë, z.Kurti i ka bërë nëntë veprime të pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar. Të gjitha këto veprime kanë një historik të shkurtër, blic histori, e cila përkundër qëllimit për të shtyrë para, prapë ka ra në nivelin e kërkesës së BE-së. Përkundër që kemi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat nuk po mund të largohen pasi Kosova nuk ka asnjë lloj raporti mirëbesimi me partnerët, shtetet në rajon e institucionet e mëdha siç është NATO e BE”, tha Haziri.

Sipas Hazirit, këtu nuk po flasim për dokumente si letërnjoftime, patentë shoferë apo për dinarin si mjet pagese, por po flasim për një objekt që NATO dhe KFOR-i e konsiderojnë si objekt të rëndësisë së veçantë.

“Vizita e komandantit të KFOR-it në Beograd ditën e djeshme ka qenë në të njëjtën kohë kur me leje të NATO-s ka ndodhur inspektimi teknik i urës në Mitrovicë. Ky mund të quhet një proces normal, por po prodhon kriza të panevojshme në kohën kur mund ta kthejmë energjinë në atë që quhet kthim i besimit dhe lojalitetit në institucione lokale, në qeverinë e Kosovës, në simbole të saja, sovranitetin e saj përfundimisht, për të gjithë banorët e Kosovës”, shtoi Haziri.