Haziri: Kriza në veri të vendit, e shtata e prodhuar në mandatin e Kurtit

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka kritikuar kryeministrin Kurti për menaxhimin e situatës në veri të vendit.

Haziri përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kurti po vazhdon me veprime të befasishme duke befasuar partnerët ndërkombëtarë.

“Kjo krizë në Veriun e Kosovës është e shtata e prodhuar në mandatin e z.Kurti. Kriza e fundit e cila eskaloi me protesta e dhunë, që burim e ka Beogradin, shkaktoi reagim të ashpër të partnerëve ndërkombëtarë ndaj Qeverisë, sepse z.Kurti po vazhdon me veprime të befasishme”.

Sipas tij ky moskoordinim me partnerët ka sjellur tensionim të situatës.

“Moskoordinimi me partnerët ndërkombëtarë dhe tejkalimi i axhendës së dakorduar me partnerët tanë në kuadër të dialogut, ka sjellur këtë tensionim të situatës”, ka shkruar tutje Haziri.

Ndërkohë, diplomacia perëndimore ka vazhduar thirrjet që Kosova dhe Serbia të marrin veprime për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës kur për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se ka biseduar për këtë cështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e inkurajuar “të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.