Haziri: BE-ja synon de-eskalimin në veri, po ndodhin kriza ditore

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se ndaj Kosovës dhe Serbisë është kërkuar që të zbatojnë planet që janë parashtruar nga Brukseli për ulje të tensioneve në veri.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka thënë se Serbia është fajtore dhe ka qenë çdo herë për kriza, kurthe dhe skenarë, por ka shtuar se nuk duhet që Kosova të bie pre e këtyre dukurive serbe.

“Samiti i Moldavisë u përcoll me takimin e fundit në Bruksel nga ana e kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësuesit të Serbisë, ka të njëjtën kërkesë de-eskalimin apo shtensionimin përmes tre hapave. Një plani trehapësh për Kosovën dhe natyrisht se është një plan edhe për Serbinë në anën tjetër, palët shkojnë drejt implementimit të marrëveshjes së 18 marsit të arritur në Ohër”.

“Tani ajo që po ndodh kohëve të fundit është prodhim i krizave të vogla, krizave ditore. Gjithmonë jemi të prirë me gjet arsye të madhe, arsyeja e madhe dhe burim i tensioneve është Serbia, kjo është fakt. Historikisht kemi vepruar mos me ra në hendek dhe në kurthe të Serbisë, jo vetëm këto qeveritë pas pavarësisë, por edhe gjatë kohës së administrimit ndërkombëtarë”.

“Edhe në shumë situata më të rënda kur kemi qenë si popull i organizuar në mënyrë paralele, Republika e 2 Korrikut në kohën e okupimit klasik, jemi ruajtur kolektivisht të mos pranojmë kurthe e skenare që Serbia i ka zhvilluar çdo herë. Këto krizat e vogla tash e një kohë e kanë zhvendosur vëmendjen e ndërkombëtarëve në menaxhim ditor të problemeve e jo në menaxhim të dialogut, natyrisht nëse nuk mundesh të merresh me problemin e madh, merresh me probleme ditore”, ka thënë Haziri./Klankosova.tv