Haxhiu pas takimit VV – LDK: Nuk ka marrëveshje, nuk e di a do të ketë takime të tjera

Haxhiu është shprehur se nuk është arritur marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së dhe se gjithashtu ambasadorët e QUINT-it janë informuar për punët e deritanishme midis dy subjekteve, shkruan lajmi.net.

Sipas saj, takimet nuk kanë përfunduar dhe ka edhe një javë kohë, por gjithashtu ka thënë se nuk ka garancë se mund të arrihet marrëveshja.

“Ju kërkoj ndjesë që keni pritur gjatë, natyrisht që do të doja të thoja se marrëveshja është finalizuar por nuk mund ta them për faktin se siç e dini, LDK po insiston në propozimin e 8 janarit, pas kësaj date ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi dhënë dy propozime që janë refuzuar nga LDK në këto takime që kemi pasur. Siç e dini sot kemi pasur një takim të gjatë edhe me përfaqësuesit e QUINT-it, por po ashtu pas tkaimit me QUINT-in jemi takuar si subjekte politike, nuk ka marrëveshje pikërisht për shkak të insistimit të LDK-së për kthim para datës 26 dhjetor. QUINT-in e kemi informuar për qëndrimet tona, e kemi parë të arsyeshme t’i takojmë bashkarisht dhe t’ua dhëmë një pasqyrë të qartë se ku kemi arritur. Nuk mund të them se takimet kanë përfunduar sepse kemi një javë në dispozicion. Nuk mund të japë garancë se do të ketë marrëveshje por mund të garantoj për përkushtimin e LVV-së”, tha Haxhiu para mediave.

Ajo gjithashtu është shprehur se Vetëvendosje nuk ka partner tjetër qeverisës.

“Më 6 tetor qytetarët kanë vendosur për ndryshim, qytetarët kanë vendosur për Lëvizjen Vetëvendosje me mbështetjen më të madhe, LVV edhe para edhe pas zgjedhjeve e ka bërë të qartë që partner të vetëm e ka LDK-në, ne nuk kemi partner tjetër. Duke pasur parasysh se i kemi bërë dy oferta pas datës 8 janar, e ftojmë LDK-në të punojë në jetësimin e vullnetit të qytetarëve. Çdo dështim i joni do ta faktorizojë presidentin Thaçin”, tha Haxhiu.

Në fund, ajo sa i përket qeverisë së pakicës është shprehur se do të flasin kur t’i vijë koha asaj.