Haxhiu: Kuvendi do të jetë zemra e demokracisë dhe bashkëpunimit institucional

Kryeparlamentarja e zgjedhur, Albulena Haxhiu ka uruar konstituimin e institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve, duke përmnedur se kjo shënon një kapitull të ri bashkëpunimi, angazhimi dhe zhvillimi për Republikën e Kosovës.

Në postimin e saj në Facebook, Haxhiu falënderoi deputetët për mbështetjen dhe siguroi se detyrën e kryetares së Kuvendit do ta ushtrojë me integritet, transparencë dhe përkushtim të plotë.

“Falënderoj deputetët e Kuvendit për mbështetjen e dhënë dhe i siguroj se detyrën do ta ushtroj me integritet, transparencë dhe përkushtim të plotë. Kuvendi është zemra e demokracisë, hapësirë e debatit konstruktiv, e vendimmarrjes së përgjegjshme dhe e mbikëqyrjes demokratike. Do të angazhohem që çdo deputet ta ushtrojë mandatin në mënyrë të barabartë dhe që puna jonë të reflektojë interesin e qytetarëve, pa dallim. Sot, Kuvendi zgjodhi edhe Kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, duke kompletuar institucionet e reja ekzekutive”, shkroi ajo, transmeton Klankosova.tv.

Haxhiu bëri thirrje që bashkëpunimi ndërinstitucional të shërbejë për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Sot, Kuvendi zgjodhi edhe Kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, duke kompletuar institucionet e reja ekzekutive. Pres që bashkëpunimi ndërinstitucional të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik, forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Republika jonë, e ndërtuar mbi sakrificë, forcohet çdo ditë përmes punës, drejtësisë dhe vendimeve në shërbim të qytetarëve”, shkroi kryeparlamentarja e Kosovës. /Klankosova.tv