Haxhiu-Isufajt: Nuk ka njeri në botë që na thotë se “unë ia hoqa fletarrestin Radoiçiqit dhe pikë”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar lidhur me pohimet e Kryeprokurorit të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj për fletarrestin e lëshuar ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe organizatorit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Ajo ka thënë se siguria kombëtare nuk është thjesht çështje e ftohtë juridiko-penale të “një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai”.

“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”, ka vazhduar Haxhiu, transmeton KlanKosova.tv.

Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës nuk i përket Prokurorisë dhe se ajo sikur secili institucion duhet t’i shërbej Republikës dhe vullnetit të popullit.

“Vullneti i popullit është i qartë: ai do drejtësi dhe shtrirje të rendit e ligjit, pa dallim. Për këtë vullnet breza e breza të tërë janë angazhuar dhe sakrifikuar, mijëra të tjerë kanë dhënë dhe jetën dhe nuk ka njeri në botë kushdo qoftë ai që del dhe na thotë unë ja hoqa fletarrestin Radojçiqit dhe pikë. Kjo nuk kalon!”.

Për atë që ka reaguar Haxhiu, vetë Isufaj ka folur në konferencë, por që ka thënë se nuk mund të japë shumë detaje.

“Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiqit, ai është komplet çështje e brendshme e prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për rastet që ne i trajtojmë. Ai s’ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, ka thënë Isufaj.