Haxhiu: Dëmi më i madh që i është bërë luftës është krijimi i Speciales

Albulena Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare, ka folur në “Konfront” të KTV-së edhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat, e cila është financuar edhe nga Kuvendi.

Ajo insistoi se veprime të tjera në të kaluarën kanë bërë më shumë dëm sesa ekspozita.

“Dëmi më i madh që iu ka bërë luftës është Gjykata Speciale. Mendoj që për këtë duhet të pajtohemi dhe në këtë drejtim dëmi tjetër është që ne më shumë dy dekada pas luftës e kemi ngritur Institutin për Krimet e Luftës, merreni me mend… Po të punohej në dokumentim, ne nuk do t’i kishim këto probleme”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” u ndalua në qendër të Prishtinës për shkak të reagimeve që nxiti me pasaktësitë, duke i cilësuar si “të armatosur” civilët e vrarë nëpër masakra.