Haxhi Shala nuk deklarohet për akuzat para Gjykatës Speciale

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, të mërkurën ka bërë paraqitjen e tij të parë në Gjykatën Speciale në Hagë, ku nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave.

Prokuroria e Specializuar në Hagë e ngarkon Shalën me tri akuza: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

“Nuk mund të deklarohem sot, e lë për seancën tjetër”, ka thënë Shala pasi iu lexua aktakuza në seancën e mbajtur pasditen e 13 dhjetorit.

Brenda 30 ditësh Shala ka të drejtë të pranojë fajësinë apo të deklarohet i pafajshëm.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se do të ketë një seancë tjetër për deklarimin e Shalës si dhe do të caktohet data për mbajtjen e konferencës mbi ecurinë e çështjes.

Haxhi Shala në sallën e gjyqit në Hagë, 13 dhjetor 2023.
Haxhi Shala në sallën e gjyqit në Hagë, 13 dhjetor 2023.

Sipas gjykatës, aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Shala e ka konfirmuar se e ka pranuar aktakuzën në gjuhën që ai e kupton.

Ai u arrestua më 11 dhjetor, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Shalës i është caktuar një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

Çka thuhet në aktakuzën publike kundër Haxhi Shalës?

Shala akuzohet për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale, tha të mërkurën në seancë gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

Kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet në aktakuzë.

Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

Ndërkaq, në muajin tetor, janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”./REL