Hashim Thaçi: Urime 28 Nëntori, festoni të bashkuar – nëntorët e tjerë besoj t’i festojmë bashkë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori fjalën në Hagë, për të shprehur revoltën e tij për mbajtjen e seancës pikërisht sot, më 28 Nëntor. Thaçi iu drejtua gjyqtarit se një seancë e tillë do të duhej evituar dhe nuk duhet lejuar që të tilla gjëra të ndodhin, raporton Klankosova.tv

Në fund të fjalës së tij, ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahet në paraburgim në Hagë, uroi kombin shqiptar për 28 Nëntor.

Thirrja e tij për shqiptarët ishte që të festojnë të bashkuar dhe me krenari.

Në fund të fjalës së tij, Thaçi tha se beson që nëntorët tjerë do të festohen bashkërisht.

“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, për këtë arsye jam edhe sot në këtë seancë, sepse jam i përcaktuar për respektimin e shtetit ligjor.

Por, i nderuari gjyqtar, është me interes që në këtë gjykatë që të mos ndodhin gjëra që s’lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse.

Si çdo popull, edhe ne shqiptarët, i kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare shtetërore. Caktimi i kësaj seance sot, më 28 Nëntor, do të duhej evituar. Për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë.

I nderuar gjyqtar, sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare, ku si çdo popull i lirë në botë feston dhe kujton.

Sot çdo familje shqiptare, kujton dhe feston.

Prandaj, mua nuk më mbetet tjetër, veç t’i uroj shqiptarët për festën e 28 nëntorit, të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet.

Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht” – tha Thaçi, raporton Klankosova.tv /Klankosova.tv