Hashim Thaçi po e heq vet uniformën e UÇK’së nga Liria ka Emër: Ai nuk po do të jetë ish Iuftëtar, por politikan

A ishte luftëtar Hashim Thaçi? Kjo dilemë e vjetër politike është qartësuar ndjeshëm nga dëshmitë e paraqitura në Hagë nga vetë njerëzit që e njohën nga afër UÇK-në dhe strukturat e saj: gjenerali Wesley Clark, negociatori amerikan Chris Hill dhe zëdhënësi historik i Departamentit të Shtetit James Rubin. Dëshmitë e tyre janë të drejtpërdrejta dhe pa ekuivoke, dhe e vendosin Thaçin përfundimisht në rolin e përfaqësuesit politik, jo të një drejtuesi ushtarak.

James Rubin ka deklaruar hapur para Gjykatës Speciale: “Ishte shumë e qartë për mua se ai nuk ishte përgjegjës. Ai nuk kishte as njohuritë, as aftësitë dhe as autoritetin për të marrë vendime në asnjë formë apo mënyrë.” Në këtë deklaratë, Rubin e heq çdo dyshim se Thaçi ka pasur ndonjë autoritet komandues brenda UÇK-së. Ai shpjegon po ashtu se në vlerësimin amerikan të asaj kohe, Thaçi ishte fytyra politike, negociatori i UÇK-së, jo komandanti i saj.

Në linjë të njëjtë është edhe Wesley Clark, komandanti i NATO-s gjatë fushatës së vitit 1999. Në dëshminë e tij, Clark ka pranuar se komandat e UÇK-së ishin të decentralizuara dhe se Thaçi nuk kishte kontroll real mbi to. Ai u pyet drejtpërdrejt për mundësinë që Thaçi të jepte urdhra ushtarake, dhe përgjigjja ishte e qartë: “Komanda nënkupton autoritet, kontrolli është mënyra për të mbikëqyrur dhe udhëhequr. Nga ajo që pamë, asnjëra prej këtyre nuk ekzistonte.” Kjo nënkupton se nga perspektiva më e lartë e NATO-s, Thaçi nuk ishte komandant, nuk kishte strukturë komanduese në dorë dhe as kompetenca për të udhëhequr operacione.

Edhe këshilltari i Clark-ut, Michael Durkee, ka dëshmuar se nuk ekzistonte asnjë mekanizëm që Thaçi të mund të përdorte për të komanduar forcat në terren: “Nuk ekzistonte absolutisht asnjë strukturë komanduese që ai [Thaçi] të mund ta përdorte për të ndalur dhunën… Ne kishim përshtypjen se nuk ekzistonte ndonjë strukturë komanduese solide ose e konsoliduar që dikush në një nivel të lartë në Prishtinë të jepte urdhra që pastaj do të çonin në veprime ose operacione konkrete në terren.” Pra, amerikanët nuk e kanë parë Thaçin si komandant, por si njeri të politikës, të cilit mungesa e dijes ushtarake i dilte në pah edhe në takimet ndërkombëtare.

Rubin ka dëshmuar gjithashtu se Chris Hill, negociatori amerikan i Rambouillet, “nuk ishte shumë miqësor ndaj z. Thaçi” dhe se ai “do të jepte disa shpjegime negative për sjelljen e tij…”. Kjo tregon se edhe vetë diplomacia amerikane nuk e ka perceptuar Thaçin si figurë ushtarake, por si aktor politik shpesh të vështirë për t’u menaxhuar. Në asnjë moment Hill, Rubin apo Clark nuk e përshkruajnë Thaçin në cilësinë e komandantit të luftës.

– Advertisement –

Këto deklarata shtrojnë natyrshëm pyetjen: a duhet t’ia heqim uniformën e luftëtarit Hashim Thaçit, kur dëshmitarët më të kredibilizuar të kohës thonë hapur se ai s’e ka pasur kurrë një të tillë? Realisht po. Sepse historia nuk ndërtohet mbi mit, por mbi fakt. Dhe faktet e dala në Hagë janë të njëtrajtshme: Thaçi ka qenë negociator politik, jo komandant i UÇK-së.

Por një pyetje tjetër është edhe më e rëndësishme sot: a po e mbron ai UÇK-në në Hagë? Nëse shikojmë me kujdes, përgjigjja është jo. Thaçi po mbron veten, jo UÇK-në. Qasja e tij mbrojtëse është individuale, e fokusuar në shkëputjen e vetes nga çdo strukturë komanduese, duke thënë qartë se nuk ka pasur autoritet ushtarak, se nuk ka drejtuar operacione dhe se nuk ka kontrolluar asnjë njësi. Kjo e mbron atë personalisht, por lë pa zë vetë UÇK-në, e cila në këtë mënyrë del sikur ka vepruar pa strukturë, pa komandë dhe pa përgjegjësi të qartë – një narrativë që i shkon për shtat prokurorisë, por jo historisë sonë.

Në vend që ta mbrojë UÇK-në si lëvizje çlirimtare të organizuar, ai e zhvesh atë nga komanda dhe organizimi për të mbrojtur veten si individ politik. Në vend që të mbrojë luftën, ai po mbron karrierën e vet. Në vend që të mbrojë strukturën e UÇK-së, ai po tregon se nuk ka qenë pjesë e saj në aspektin komandues. Dhe kjo, në thelb, nuk është mbrojtje e UÇK-së.

Historia jonë e luftës është e drejtë, por duhet të mbrohet me të vërteta, jo me vetë-shpëtim personal. Amerikanët kanë thënë qartë se kush ka qenë Thaçi: një përfaqësues politik. Dhe kjo nuk është fyerje, por fakt. Por kur në Hagë ai heq dorë nga çdo përgjegjësi ushtarake, në të njëjtën kohë ai heq dorë edhe nga mbrojtja e UÇK-së si strukturë. Aty ku pritej një mbrojtje kolektive, po dëgjohet vetëm një zë vetjak.

Në fund rezulton kështu: Thaçi nuk ka qenë komandant i luftës, dhe as në Hagë nuk po sillet si mbrojtës i luftës. Po mbron vetëm veten. UÇK-në e mbajnë gjallë faktet dhe sakrificat e luftëtarëve, jo dëshmitë e atyre që sot thonë se s’kanë pasur as komandë, as përgjegjësi.