Haradinaj: Vuçiq mban Kurtin në pushtet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se me gabimet e tij, po favorizon Serbinë dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Haradinaj shprehet se qeveria shfrytëzon popullin, dhe nuk vepron në bazë të interesave të qytetarëve.

“Ajo që i ka ndodhur Kosovës është më e keqja që mund t’i ndodhte. Ata që erdhën në pushtet si populist, pra duke e shfrytëzuar popullin, jo duke i shërbyer, gjatë qëndrimit në pushtet vazhduan me këtë logjikë. Çdo agjendë e vu në shërbim të pushtetit, pa e pasur në interes të parë vetë Kosovën. Për fat të keq, Kosova ka bërë hapa mbrapa në të gjitha ato obligime dhe angazhime të marra, veçanërisht me aleatët tonë të sigurisë”.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, sulmi dhe veprime të tjera të Serbisë janë pasojë e gabimeve të Kurtit dhe qeverisë që ai drejton. Ndërsa Serbia nga ana tjetër, ndihmohet nga rusët, thotë Haradinaj.