Haradinaj: Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar shpërfaq fytyrën e këtij pushteti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka reaguar pas hulumtimit të publikuar në KOHË për dy kompani nga Gjilani që pretendojnë se prodhojnë dronë luftarakë.

Ai e ka akuzuar pushtetin e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se “etja për foto dhe showbiz është mani e këtij pushteti”.

“Etja për foto dhe showbiz është mania e këtij pushteti. Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti. Kur do të ndaleni një herë o të mjerë!”, “>ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në Gjilan, në nëntor të vitit të kaluar, kompanitë e angazhuara në prodhimin e dronëve i ka vizituar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai pati shkruar në Facebook se “dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë”.

Burimet i kanë thënë KOHËS se ato që i ka prezantuar kryeministri në Facebook si dronë luftarakë ishin maketa. Të dyja kompanitë janë relativisht të reja. Në bazë të regjistrit online të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve ato janë regjistruar si ndërmarrje në vitin 2025.

Ministria e Mbrojtjes nuk i ka konfirmuar pretendimet e pronarëve të “Future Minds Acacemy” dhe të “Miga Skyshield”, për testim të dronit kamikaz “Skifteri K1”, përkatësisht aftësinë e tij që të godasë caqet në largësi deri 1000 kilometra.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, herën e fundit kur kanë zhvilluar vizitë në këto kompani dronët nuk kanë qenë luftarakë, por komercialë.

Një burim brenda institucioneve të sigurisë ka ngritur dyshime se droni që shihet në foto mund të jetë montuar duke u mbështetur në materiale të blera në Kinë – shtet i cili e konteston shtetin e Kosovës.

Një nga videot që pronari i “Future Minds Academy” ka përdorur për ta promovuar dronin “Skifteri K1” dyshohet se i përket një fluturakeje të prodhuar në Kinë.

Videoja që e ka postuar në Facebook Ridvan Aliu, pronar i “Future Minds”, është copëz e videos së prodhuesit “Hinaray”, që promovon dronin H70P dhe kompania kineze e ka publikuar tri ditë para tij.

Ekspertët ushtarakë nuk e besojnë si të mundur që kompanitë në Kosovë t’i kenë kapacitetet njerëzore e profesionale për të ndërtuar dronë në këtë moment.

E dy kompanitë që u bashkuan për të prodhuar dronin e pretenduar, në ATK kanë veç një punëtor të lajmëruar.