Haradinaj: Qeveria Kurti nuk do të zgjasë shumë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tashmë është vërtetuar se Albin Kurti është mashtrues dhe se Qeveria e tij nuk do të zgjasë shumë.

Ai në “Debat Plus” tha se premtimet e Kurtit për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera kanë dalë të jenë mashtrim.

“Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë”, u shpreh ai.

Haradinaj thotë se me ardhjen në qeveri të Albin Kurtit Kosova ka pasur rritje të madhe të importeve nga Serbia, që, sipas tij, dikur ai i kishte kundërshtuar.

“Kurti ka premtuar se do ta rivendosë reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu theksoi se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë.

“Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë.”, shtoi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj u shpreh se Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet.