Haradinaj: Qeveria e Serbisë duhet të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në veri të vendit në lidhje me vendosjen e barrikadave në rrugët e komunave veriore.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga qeveria të heqë urgjentisht barrikadat, ndërkaq nga Serbia ka kërkuar të heqë dorë nga politika luftënxitëse.

“Shteti i Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri. Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t’i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai apeloi po ashtu që BE-ja dhe ShBA-ja të ndërhyjnë me qëllim të qetësimit të situatës në veri.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të ulen dhe ta arrijnë marrëveshjen e paqes për njohje të ndërsjellë.