Haradinaj: Qeveria e Mashtrimit nuk anuloi 50 milionë euro, por kyqjen e fshatrave të Ferizajt dhe Vitisë

Haradinaj ka thënë se ky vendim i ministrit Abdixhiku është mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti.

“Sot duke manipuluar me shifra dhe duke trumpetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel Enka-n, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin. Për hir të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyçjet në Ferizaj dhe Viti. Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, raporton lajmi.net.

Haradinaj ka thënë se Qeveria nuk anuloi 50 milionë por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyçjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me autostradën Arbën Xhaferi.

“Qytetarë të nderuar Qeveria e Mashtrimit nuk anuloi 50 milion por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyqjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me Autostradēn Arbën Xhaferi. Qeveria e Mashtrimit u mundua që të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, thuhet në reagimin e Haradinajt.

Ndryshe, sot është anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ky anulim ka ardhur në mbledhjen e Qeverisë me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku e ka propozuar dy opsione që të nënshkruhet kontrata ose anulohet vendimi. Ai ka thëne është për propozimin e dytë, që njëherë të anulohet vendimi.

Këtë vendim e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq ka marrë edhe mbështetjen e gjithë kabinetit qeveritar.

“Edhe unë jam për këtë vendim. Duhet të ndalet kjo gjakderdhje financiare, ku paratë po na rrjedhin si lumë”, tha Kurti, raporton lajmi.net.

Pika e dytë obligohet Ministria të ndërpresë me efekt të menjëhershëm negociatat me Bechtel Enkën dhe të vlerësojë dëmet.

“Obligohet Njësia për zbatimin e projektit të mos nënshkruajë dokumentacionin e nevojshëm në emër të Ministrisë”, tha Kurti.

Bazuar në këtë vendim, konsorciumi Bechtel Enka kërkonte rreth 50 milionë euro.

Kërkesën e tillë ky konsorcium e mbështeste në vendin e Qeverisë Haradinaj të vitit të kaluar.

Vendimi i mbledhjes se Qeverisë të mbajtur më 28 maj 2019 kishte të bënte me zgjatjen e afatit të përfundimit të kontratës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” deri në fund të vitit 2020.

Në pikën 2 sqarohej se kjo zgjatje e punëve po bëhej për të përfunduar ndërtimin e disa kyçjeve në autostradë.