Haradinaj: Populli e ka kuptuar mashtrimin, bashkë e rikthejmë shpresën në vend

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë mesazh mobilizues për qytetarët, duke theksuar se 28 dhjetori, data kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, do të jetë dita kur vendoset e ardhmja e Kosovës.

Ai ka thënë se vendi ndodhet në një moment përcaktues, ku duhen marrë vendime të guximshme.

“Kosova nuk pret më. Koha e fjalëve ka kaluar. Tani është koha e vendimeve të mëdha dhe të guximshme”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se secili qytetar ka një detyrë të qartë që ta mbrojë të ardhmen e vendit, “jo me fjalë të thata, por me votë të pastër, me qëndrim të fortë dhe me dinjitet”.

Ai theksoi se 28 dhjetori është dita kur populli do të flasë, duke vënë në pah rolin e çdo shtrese të shoqërisë në këtë proces.

“Kur voton ushtari, shtetit i kthehet nderi. Kur voton polici, familjet marrin siguri… Kur voton populli, fitojnë gjeneratat”, ka shkruar ai.

Kryetari i AAK-së deklaroi se prioriteti i tij është rikthimi i besimit te shteti dhe një qeverisje që punon për qytetarët, duke kritikuar propagandën politike.

“Kosova ndërtohet në terren, dhe jo me propagandë”, u shpreh Haradinaj, duke premtuar se në ditët në vijim do të jetë pranë qytetarëve “në secilin fshat, në secilën lagje, në secilën familje që ka mbajtur Kosovën gjallë në ditët më të vështira”.

Ai pati edhe një mesazh të posaçëm për mërgatën.

“Janë zemra e Kosovës në botë… Me votën e tyre, me votën tuaj, Kosovës i kthehet shpresa”.

Haradinaj ritheksoi rëndësinë e aleancave ndërkombëtare, duke theksuar se pa to “s’ka shtet të sigurt”.

Në fund, ai bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm më 28 dhjetor.

“Kosova mbrohet prej popullit. E populli më 28 dhjetor do të flasë fort. E do të flasë drejt”, ka shkruar Haradinaj.