Haradinaj: Personeli shëndetësor dhe ata të sigurisë, e kanë barrën kryesore për parandalimin e Covid 19

Ramush Haradinaj, u është drejtuar personelit shëndetësor në vend dhe mekanizmave të sigurisë, duke thënë se barra e përgjegjësive të tyre po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19.

Haradinaj, me anë të një postimi në Facebook, ka falënderuar pjesëtarët e institucioneve shëndetësore dhe atyre të sigurisë.

Ai i ka quajtur të gjithë mjekët, policët dhe pjesëtarët e mekanizmave të sigurisë së Kosovës heronjtë e vërtetë e kohës sonë.

“Të nderuar pjesëtarë të institucioneve shëndetësore dhe të mekanizmave të sigurisë së vendit tonë. Barra e përgjegjësive tuaja po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, prandaj, ju lutëm pranoni konsideratat e mia të larta”.

“Një falënderim, ashtu sikurse ndjen edhe çdo qytetar i vendit tonë, për punën dhe humanizmin e jashtëzakonshëm të cilën ju si mjekë, infermierë, policë dhe pjesetarë të të gjithë mekanizmave tona të sigurisë, po e dëshmoni në këtë kohë kritike”.

“Sot, ju jeni heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Bashkë, me vetëdije të lartë dhe përgjegjësi kolektive, jam i sigurt se do t’ia dalim, siç ia kemi dalur në kohëra të vështira”, ka thënë Haradinaj.